Milan humb “copat” në stërvitje, ndalet edhe mbrojtësi brazilian

02/06/2020 20:25

Milani ka rinisur përgatitjet për të qenë gati për të luajtur pjesë ne mbetur të sezonit 2019-2020, ku përveç kampionatit, është në garë edhe në Kupën e Italisë, pasi do të startojë pikërisht me gjysmëfinalen e kthimit ndaj Juventusit.

Megjithatë trajneri Stefano Pioli nuk po kalon ditë të qeta, pasi pushimi i gjatë dhe fillimi menjëherë i përgatitjeve me intensitet të lartë, ka sjellë pasoja për futbollistët kuqezinj, duke qenë se i pari që u dëmtua ishte Zlatan Ibrahimovic.

Për gjigantin suedez është shmangur frika më e madhe, që mund ta linte jashtë për disa muaj, por nesër ai pritet të rikthehet në Milano, ku do t’u nënshtrohet analizave të tjera, për të modifikuar programin e rikuperimit, që synon at bëjë gati për të luajtur brenda një muaji.

Përveç Ibrës, ditën e sotme është ndalur edhe mbrojtësi brazilian Leo Duarte, i cili i ishte nënshtruar një operacioni në muajin nëntor dhe që prej asaj kohe ishte jashtë fushave të lojës.

Por kur dukej se kishte lënë pas krahëve dëmtimin dhe do të ishte gati për sprintin final të kampionatit, mbrojtësi brazilian ka ndjerë një tjetër shqetësim, ndërsa analizat paraprake flasin për një lëndim që do ta lërë jashtë fushave për të paktën një muaj.

Si Zlatan Ibrahimovic, ashtu edhe Leo Duarte janë shumë të rëndësishëm për formacionin e Piolit, pasi të dy luajnë në pozicione ku alternativat janë të pakta dhe mungesa e tyre pritet të ndihet jo pak nga kuqezinjtë.

Top Channel