Laboratori arkeologjik/ Gjirokastër, u krijua për studentët por shfrytëzohet për ekspeditat

02/06/2020 12:27

Laboratori i arkeologjisë në universitetin e Gjirokastrës ka filluar të jetë aktiv që prej 10 vitesh.

Ai u krijua duke grumbulluar objekte prej sitit të Adrianopolit, atij të Antigonesë ku u anagazhuan për të asistuar studentë të arkeologjisë por edhe të degëve të tjera.
Sipas profesor Dhimitër Çondit i cili ka udhëhequr shumicën e ekspeditave arkeologjike ky material i pasur i grumbulluar çon drejt njohjes më të mirë të realitetit arkeologjik të të rajonit.

“Ky laborator është për studentët por e shfrytëzojmë edhe ne sepse është unikal në vendin tonë, i vetmi. Ky laborator është ngritur para 10 vjetësh faza e parë me fondet e universitetit të Gjirokastrës dhe me eksperiencën e universiteteve të Bolonjës dhe Maçeratës. Këtu e filloi punën grupi i parë i studentëve të masterit shkencor të arkeologjisë. Kjo ju jep atyre njohuri në konservim, restaurim dhe studim shkencor të materialeve arkeologjike dhe artifakteve si ato prej bronxi, qeramike dhe qelqi që ne nxjerrim prej gërmimeve tona arkeologjike.”

Objektet dëshmojnë për shkëmbime të shumta kulturore, tregëtare gjithashtu janë dëshmi e qytetërimeve të ndryshme, e përdorimit të ndryshëm të qeramikës, e ndryshimit të veglave të punës, e ndryshimit të objekteve të jetës së përditshme.

“Ky laborator i themeluar para një dekade vazhdon ripërtërihet vazhdimisht. Çdo vit elementët e rinj që dalin si të reja shkencore sa i përket konsolidimit dhe studimit shkencor të artifakteve arkeologjik i shtohen këtij laboratori. Kjo rrit vlerën dhe domosdoshmërinë për medota bashkëkohore studimi në këtë laborator.”

Laboratori strehon një seri aparaturash të i cilat shërbejnë qoftë konservimit, qoftë pastrimit të objekteve dhe më pas restaurimit të tyre.

Pas vizitës më të fundit të ambasadorit italian në Tiranë u konfirmua arritja e marrëveshjes për ndërtimin e masterit dual. Ai është në proces aprovimi dhe së shpejti pritet që të implementohet pranë këtij universiteti.

“Jemi duke kaluar në një fazë tjetër më të avancuar me një program dual në fushën e arkeologjisë dhe të trashëgimisë kulturore, program i cili është paraqitur në Ministrinë e Arsimit. Shpresojmë që edhe nëpërmjet ndihmës që do të japë Ambasada e Italisë do të realizohet edhe ky projekt. Është një projekt i madh sepse do të krijojë një tjetër klimë për universitetin, për rajonin.”

Është një arkiv i pasur që ky laborator ka grumbulluar dhe profesorët shpresojnë se do të vihet në funksion edhe të studentëve të tjerë në të ardhmen. /Kristina Fidhi/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA