Figura që frymëzojnë dhe rrisin dëshirën për dije e kulturë janë personazhe të njohur shqiptarë të cilët rrëfejnë përmes bisedës se sa e rëndësishme është të lexosh.

Libri nuk është vetëm një shok në vetminë e ditëve që njeriu kalon në qoshkën e tij kudo që ndodhet, por dhe një mësim për të mprehur mendimin dhe reflektuar mbi ngjarjet e personazhet që has në jetë. Cfarë e bën atë tejet një njeri të përpunuar dhe denjësisht elitar në staturën e vet.

Cili është personazhi që kemi përzgjedhur për ju sot?

Prof. Dr. Isuf Kalo lindi në vitin 1942. Kreu Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në 1964, u specializua në endokrinologji dhe diabetologji. Është ndër themeluesit dhe novatorët e këtij specialiteti në Shqipëri. Disa vjet ka drejtuar Katedrën dhe Shërbimin e Sëmundjeve Endokrine në Fakultetin e Mjekësisë dhe Spitalin Universitar të Tiranës. Është Doktor i Shkencave Mjekësore, Profesor dhe i laureuar me titullin: “Punonjës i Shquar i Shkencës Shqiptare”. Si dhe anëtar themelues i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës.

Është mjeku i parë shqiptar në stafin permanent të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kopenhagen. Ka qenë konsulent i Bankës Botërore në projekte shëndetësore, konsulent i pesë ministrave të shëndetësisë, lektor në Universitetin e Dubrovnikut, ekspert i Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë për programin e diabetit. Prof. Dr. Isuf Kalo ka themeluar shoqatat mjeksore “Hypokrati” dhe atë “Jetë dhe Shëndet”. Është autor i shumë veprave në shtypin mjekësor vendas dhe të huaj, dhe anëtar nderi në shoqata mjekësore ndërkombëtare si dhe të vendeve të veçanta të Evropës.

M.S.: Cilët janë ata libra që ndikuan në personalitetin tënd?

Dr. Isuf Kalo: Librat e Remarkut, “Harku i triumfit” nën përkthimin e Robert Shvarc do të shpaloste tek unë, universin e një autori që vendoste përballë dy të drejta. Atë të ligjit dhe një të drejtë tjetër, që është kaq natyrale të mjekut ndaj pacientit të tij. Ravic, mjeku gjerman që kryen operacione të fshehta kirurgjikale në Paris duke qenë në anën e misionit të tij të përhershëm, do të trondiste botën time të brendshme në vitet e leximit. Remark do të jetë për shumë kohë një shkrimtar të cilin jam përpjekur ta lexoj të plotë edhe me libra të tjerë si “Tre shokët” dhe “Obelisku i zi”. Brezi i shkrimtarëve të humbur, një pjesë e të cilëve e panë Parisin si një ndalesë shpirtërore duke nisur nga Hemingway, kanë qenë lexime që kanë gjurmë në formimin tim. “Plaku dhe deti”, është një nga librat e fortë mbi dinjitetin njerëzor të cilit i jam rikthyer shpesh, po kështu, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë.

“Letër e hapur njerëzve të lumtur” (një libër që e kam lexuar në frëngjisht) nga Louis Powuel, “Doni i qetë” nga Shollohov, “Motivet persiane”, “Lirikat” e Eseninit, “Mjekët” dhe “Një histori dashurie” nga Erik Segal, kanë qenë libra të cilët kanë lënë gjurmë në kujtesën time. Fakti që kam lexuar në frëngjisht më ka ndihmuar të perceptoj përmes leximit realitete të munguara në Shqipërinë e asaj kohe, por dhe të njihem me autorë të mëdhenj të letërsisë botërore.

M.S.: Cili është libri që aktualisht po lexoni?

Dr. Isuf Kalo: Po lexoj librin “Vila me tri porta” nga Vera Bekteshi, një rrëfim i sinqertë e me kurajo intelektuale. Po befasohem nga mënyra e të shkruarit. Po rilexoj këto kohë dhe “Revoltën e Atlasit” nga Ayn Rand. Është një libër i madh idesh mbi kuptimin e jetës dhe lumturinë, por dhe një manual mbi të drejtën, atë çfarë vazhdimisht shqetëson shoqëritë e sotme. Koha e pandemisë bëri që t’u rikthehesha dhe disa librave të tjerë që prej kohësh rrinin në bibliotekën time. Sigurisht, ndër librat që kam në duar hyjnë dhe leximet në fushën e mjekësisë ku përpiqem të lexoj studiues të rinj me peshë në këtë fushë, pasi ashtu si letërsia dhe mjekësia në çdo kohë rivjen me ide dhe qasje interesante ndaj zhvillimeve të caktuara.

M.S.:Po libri që të ndryshoi jetën? Libri që ndikoi më shumë për të shkruar?

Dr. Isuf Kalo: Ndoshta “Fausti” i Gëtes, apo libri “Këta të sëmurë që bëjnë historinë” (në frëngjisht) nga Pierrre Rentchnik. Është e vështirë t’ia vësh një libri gjithë ndryshimin e një jete. Mendoj se janë një mori librash, që në një formë a një tjetër i japin udhë strukturës sonë së brendshme, por formësojnë atë kulturën e nevojshme që e bën më të mprehtë mendimin.

Por, librat që më kanë ndikuar më shumë përsa i përket shkrimit si një model i mirë është “David Koperfild” i Charles Dikens, “Martin Iden” i Xhek London, “Të mjerët” e Hygo-it apo “Aleksis Zorba” e Nikos Kazantzakis.

M.S.: Libri që është mbivlerësuar më shumë me pa të drejtë? Si e keni përjetuar ju atë?

Dr. Isuf Kalo: “Rruga e Shanonit” e Croninit dhe “Vajza e Postës” e Stefan Cvajg. Megjithëse Cvajg mbetet një nga tregimtarët e mi të preferuar, një nga autorët e fuqishëm të viteve 1920-1930, i cili vijon të ketë ndikim me trashëgiminë letrare që la pas. “Letra e një të panjohure” apo “Padurimi i zemrës” mbeten dy libra nga më të fortët në bibliotekën e madhe nga ky shkrimtar.

S.: Cili është libri i fundit që ju ka bërë të qeshni?

Dr. Isuf Kalo: “Closhmerle Babilon” i Gabriel Chevalier, një lexim i hershëm i shumë viteve më parë dhe padyshim “Ushtari i mirë Shveik” i shkrimtarit të madh cek Jarosllav Hashek.

M.S.: Libri që nuk ke arritur ta përfundosh?

Dr. Isuf Kalo: “Lufta ime” e A. Hitlerit.

M.S.: Libri që ju vjen turp që se keni lexuar ende?

Dr. Isuf Kalo: “Kur sunduesit grinden”, nga Ismail Kadare.

M.S.: Libri më i hershëm që keni lexuar?

Dr. Isuf Kalo: “Timuri dhe skuadra e tij” e Samuel Mashak, “Aventurat e Tom Sojerit” e Mark Twenit.

M.S.: Librin që jepni më shpesh si dhuratë?

Dr. Isuf Kalo: Unë hyj tek ata njerëz që parapëlqej të dhuroj libra. Për miqtë e mi të huaj gjithnjë kam dhuruar librin “Kronikë në gur” të Ismail Kadaresë. Por librat që bëj dhuratë apo sugjeroj këto kohë në biseda me kolegë e miq janë “Lista e dëshirave të mia” nga Greguar Selacourt. Përfytyroni një grua që fiton një cek e më pas bën një listë dëshirash. Mund të jenë dëshirat e gjithsecilit prej nesh…Libri “Kohë e pamjaftueshme” e Helena Kadaresë është një libër që veçanërisht e çmoj, “Otello, Arapi i Vlorës” i Ben Blushit, “Letërsia e turpit” nga Alda Bardhyli, “Skëndërbeu -një histori politike” nga Aurel Plasari dhe padyshim libri im “Blloku”.

 

Top Channel