Fiks Fare/ 1500 naftëtarë rrezikojnë pensionin, Albpetroli ” Do i pajisim me vërtetimin brenda afateve”

29/05/2020 23:43

1500 naftëtarë rrezikojnë pensionin për faj të Albpetrol. Kompania nuk lëshon vërtetimin e posaçëm ,të cilin e ka detyrim ligjor. Mungesa e këtij vërtetimi ka bërë që 1500 naftëtarë të rrezikojnë pensionin e këtij viti.

Nexhip Rapaj tregon për Fiksin se ka punuar në kompanin Albpetrol dhe ka fituar statusin e naftëtarit. Ndaj ai kërkon pensionin e parakohshëm të cilin e përfiton vetëm duke marrë vërtetimin e posaçëm në kompaninë Albpetrol ku dhe ka punuar prej vitesh ,por që kjo kompani nuk ja ka dhënë. Për këtë arsye z. Rapaj i është drejtuar emisionit Fiks Fare.

Sipas tij që në muajin shtator paraqitet në kompani dhe kërkon vërtetimin dhe i thonë nuk na ka dhënë urdhër shteti. Nexhipi rrëfen se nga ajo punë ai është sëmurë dhe sot po qëndron në shtëpi. Ndër të tjera vërtetimi përmban pozicionin e punës i cili është i domosdoshëm për personat që duan të përfitojnë pensionin e parakohshëm.

Gazetarët e Fiksit shkojnë në Drejtorinë Rajonale të Institutit të Sigurimeve Fier. “I kemi drejtuar shkresa disa herë kompanisë Albpetrol, por nuk kemi marrë zgjidhje” shprehet drejtori. Sipas tij nuk kanë pasur asnjëherë probleme të tilla me kompani të tjera naftë nxjerrëse ,sepse punonjësit janë pajisur me këtë lloj vërtetimi dhe qytetarët e kanë përfituar pensionin e parakohshëm.Drejtori tregon se në kompaninë Albpetrol janë 1500 punëtorë që presin të marrin këtë vërtetim dhe nëse nuk pajisen deri në datën 5 korrik e humbin pensionin e këtij viti.Drejtuesi i Sigurimeve Shoqërore Fier thotë se Albpetrol e ka detyrim ligjor ta lëshojë këtë vërtetim për punëtorët e vetë për aq kohë sa është statusi aktiv.

Gazetarët e Fiksit bashkë me qytetarin shkuan në ambjentet e kompanisë Albpetrol për të marrë një përgjigje. Pas takimit me koordinatorin u tha se përgjigjia do jepet me shkrim.Përgjigjia zyrtare nga kompania Albpetrol për emisionin Fiks Fare shpjegon se për këtë çështje ka patur një ngërç për të cilin ka nisur zgjidhja dhe të gjithë personat fizik do të pajisen me vërtetimin për të përfituar pensionin e parakohshëm deri në datën 5 korrik.Sipas tyre ka nisur puna me Vlorën për të vijuar më tej me Fierin dhe më pas me qytete të tjera.

FOTO GALERI
3/4

Top Channel