“Librat nuk hidhen sepse aty ku hidhen libra, një ditë mund të hidhen njerëz”
Cili është personazhi që Vitrina e Librit ka përzgjedhur sot të frymëzojë dije dhe kulturë
Felicita Jakoel lindi në Tiranë. Aty mbaroi Liceun Artistik për piano. Për shkak të biografisë jo të mirë, nuk i jepet e drejta e studimit për në Institutin e Arteve edhe pse ishte një pianiste shumë e talentuar dhe përfaqësoi Liceun Artistik dy herë në Dekadad e Majit. Punoi disa vite si mësuese muzike në Lezhë dhe në vazhdim mbaroi fakultetin e filologjisë në Tiranë për Gjuhë dhe Letërsi duke punuar paralelisht në Akademinë e Arteve si pianiste në degën e Koreografisë. Më 1991 u shpërngul në Izrael dhe aty punon në muzeumin e Pavarësisë së Izraelit. Ndër të tjera është edhe kryetarja e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri- Izrael.
M.S. Cilët janë ata libra që ndikuan në personalitetin tënd?
Felicita Jakoel: Jam rritur në një shtëpi ku lexohej shumë. Kishim një bibliotekë me shumw libra në disa gjuhë të ndryshme dhe ku vendin kryesor e zinin 10 libra shumë të trashë në ngjyrë jeshile me fletët e holla që ishin “Il Dizionario Enciclopedico italiano”. Ishin blerë me sa duket aty nga viti 1940. Familja e babait duke qenë para clirimit një familje e pasur, në vitin 1946 u shpronësua komplet nga regjimi komunist. U morën cdo gjë që nga shtëpitë e dyqanet e deri tek mobiljet e rrobat e trupit. Kuptohet që edhe librat ua konfiksuan të gjitha.
Një vit më vonë babai që në atë kohë ishte një djalosh 23-24 vjecar shkon të blejë mish tek kasapi i mëhallës dhe për tmerrin dhe gëzimin e tij shikon të gjitha volumet e enciklopedisë së tij të stivosura në tokë, gati për t‘u përdorur si letër mbështjellëse për copat e mishit që do të shiteshin. Nuk e di pikërisht se si bëri po ia mbushi mendjen kasapit që t`ia shiste mbrapsht librat dhe kështu këto volume të vyera do të bëheshin për ne, burimi i dijes dhe informacionit në cdo fushë që nga historia e gjeografia deri tek shkencat dhe artet. Këto libra voluminozë që do të ishin në fakt internet i sotëm. Sa herë që do të kisha pyetje të cilat ia drejtoja tim eti, ai për të qenë sa më i saktë, do të ngrihej ngadalë dhe do të shkonte tek biblioteka për të kërkuar tek germa e duhur nocionin që duhej të më shpjegonte. Më 1991 u shpërngulëm në Izrael. Ishte e vështirë ndarja me cdo gjë të dashur e të njohur. Lamë prapa cdo gjë, dhe erdhëm vetëm me disa valixhe dhe me shumë kuti të mbushura me libra.
M.S. Cili është libri që aktualisht po lexon..?
Felicita Jakoel: Libri që po lexoj dhe që i kthehem herë pas here është “Homo Sapiens, një histori e shkurtër e njerëzimit” si edhe dy volumet e tjera që e ndjekin atë me autor Juval Noah Hararit. Është një analizë brilante e historisë njerëzore duke filluar që para 70.000 vjetësh e deri në ditët e sotme dhe parashikime për c`ka mund të jenë zhvillimet në të ardhmen. Për ne që jemi rritur me analizën e historisë dhe zhvillimit të shoqërisë po kaq interesante, materialiste dialektike të Engelsit dhe Marksit, këto libra janë dyfish interesantë.
M.S.: Cili është libri që të ka ndikuar më shumë?
Felicita Jakoel: Janë të shumtë librat që më kanë formuar dhe influencuar. Lista është shumë e gjatë. Shkrimtarët francezë, rusë, anglezë, amerikanë, italianë ……Tolstoi, Chekhov, Viktor Hugo, Gi de Mopasant, Dikens, Gollsworthy, Remark, Pirandello, Dino Buzzati, Ismail Kadare…etj.
Heronjtë e këtyre librave na kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës. Ne i përmendnim rreth tryezës dhe ata u shndërruan në personazhe gati-gati të gjallë, në “miq” të familjes. Rileximi i një libri të vjetër është edhe sot si një takim me ata heronj të vjetër e të dashur. Si mund të harrohet përshkrimi, ku Andrea duke u kthyer nga shtëpia e Natashës ndeshet me lisin plak të lulëzuar, skena ku plaku Xholion prêt i ulur në stol bashkë me qenin Baltazar të vijë bukuria dhe rinia dhe pikërisht aty gjen vdekjen me të ëmbël që mund të bëhet.
Unë personalisht identifikohesha me heroinat e mia si Ana Karenina, Natasha, Skarlet O`Hara (ne e quanim Rossella sipas përkthimit italisht të Via col Vento). Por, mbi të gjitha unë admiroja Irena Forsajtin. Ajo kishte të gjitha ato, që një grua e periudhës viktoriane deshironte….i mungonte vetëm një gjë, dashuria. Shumë të tjera mund të bënin kompromis…por jo Irena. Ajo me rezistencë të heshtur dhe të hekurt vendosi të braktisë të shoqin, Somsin, pasurinë, komoditetin, sigurinë dhe emrin e mirë. Braktisi cdo gjë por jo vetveten! Zgjodhi të bëjë një jetë modeste. Derisa gjeti dashurinë dhe lumturinë e saj. Ashtu si Irena edhe unë, gjeta dashurinë dhe lumturinë në jetë pikërisht në moshën e saj.
M.S. Libri që është mbivlerësuar më shumë me pa të drejte? Si e keni përjetuar ju atë?
Felicita Jakoel: Një libër që më ka zhgënjyer ka qenë libri “Nëna“ i Maksim Gorkit. Kisha lexuar tregimet e tij të mrekullueshme, përshkrimet e tij të rralla. E doja shumë atë shkrimtar. Kur “Nëna“ më ra në dorë e lexova dhe përshtypja ishte se ishte libri më i politizuar i shkrimtarit të madh. Në kohët e sotme ka shumë libra që bëjnë sensacione ngandonjëherë kthehen në Best Seller po kur i merr në dorë zhgënjimi është i madh. Një nga këta është: “Dyzet Hijet e Grisë“.
M.S.: Cili është libri që të ka ndryshuar jetën?
Felicita Jakoel: Nuk e di nëse më ndryshoi jetën, por e konsideroj si një nga librat e rëndësishëm që kam lexuar: “Animal Farm” i Xhorxh Oruell. Më pas do të lexoja edhe “1984” po të të njëjtit autor. Rritur në një shtëpi disidentësh, në një familje ku bënim një ”jetë të dyfishtë”, ku diskutohej e flitej lirisht brenda mureve të shtëpisë për realitetin absurd e totalitar ku jetonim, gjetja e një libri të ndaluar ishte një festë e vërtetë. Një shoku im vjen në shtëpi e më sjell librin duke më thënë se, ke vetëm 24 orë për ta lexuar. Ky libër i ndaluar që akoma sot nuk e di si ra në duart e tij po qarkullonte nën dorë tek të rinjtë intelektualë të kohës.
U habita për përpikmërinë e përshkrimeve dhe alegorive, u befasova kur pashë se autori e kishte shkruar librin në vitin 1942, pikërisht kur ishte nënshkruar marrëveshja Ribentrop -Molotov, pikërisht kur fama e Stalinit po rritej në Europë. Më kujtohet sa u trishtova në fund, kur derrat të veshur si njerëz pinin uiski dhe bënin marrëveshje me armiqtë e tyre të betuar, njerëzit. U trishtova për faktin se shpresat e mijra atyre që dhanë jetën e u sakrifikuan për një ideal e një ëndërr shkuan kot, cdo gjë u kthye pikërisht aty ku kish qenë….Ky është fundi i të gjitha ëndrrave?
Një tjetër libër që do të më lerë mbresë të madhe do të jetë “Historia e Raichut të Tretë”. Kuptohet edhe ky, ishte një libër i ndaluar që u gjet “nën dorë”. Aty për herë të parë lexova tmerret e nazizmit, historinë që nga marrja e pushtetit deri tek “Zgjidhja finale e ceshtjes hebraike”. Duke qenë një familje hebreje me të humbur në Holokaust (motra e babait dhe familja e saj u zhdukën në Aushwitz), libri me bëri një përshtypje të jashtëzakonshme. Ishte e vështirë të kuptoje se ku mund të arrinte ligësia dhe egërsia njerëzore, si rezultat i një ideologjie të caktuar dhe shplarjes së trurit. Më bëri përshtypje fraza e thënë nga poeti i madh hebreo-gjerman Haine: “Aty ku digjen libra një ditë do digjen njerëz”.
M.S.: Cili është libri i fundit që të ka bërë për të qeshur?
Felicita Jakoel: E qeshura është kaq e lidhur me satirën dhe si e tillë, edhe pse mund të jetë një libër i vjetër sic është “Ushtari i mirë Shveik” është një nga më të dashurit për mua. Dinim dhe citonim faqe të tëra përmendësh dhe është akoma edhe sot, aktual, ashtu sic ishte 100 vjet më parë. E kam parë të dramatizuar në teatër por libri është gjithnjë disa hapa para në cdo dramatizim.
Një tjetër libër është “Nje kalë hyn në bar” i David Grossman, shkrimtar hebre. Bën fjalë për një njeri që performon për dy orë në një qytet të vogël dhe që duhet të argëtojë audiencën e tij. Në fakt, nëpërmjet barcaletave dhe historive të shkurtra, ai shpalos dhimbjet dhe vuajtjet e tij personale që janë gjithashtu problemet dhe vuajtjet e vendit të tij.
M.S.: Cili është libri që nuk ke lexuar ende?
Felicita Jakoel: Fatkeqësisht (dhe ndoshta fatmirësisht sepse kjo do të thotë se gjërat e mira e interesante më presin) lista e librave që nuk kam lexuar ende është shumë e gjatë. Ta fillojme me “Duke pritur Godonë” të Beket, apo “Uliksi i Xhojsit”, etj.
M.S.: Cili është libri më i hershëm që ke lexuar?
Felicita Jakoel: Libri më i hershëm që kam lexuar me sa mbaj mend është “Odiseja” i përshtatur për fëmijë. Babai na i kishte treguar këto histori që kur ishim shumë të vogla por tani mund t`i lexoja vetë dhe kjo ishte një kënaqësi më vete. Mbaj mend orën e vizatimit në klasën e tretë ku pasi zhgarravita shpejt e shpejt një vizatim në fletore e futa menjëherë nën bankë që të mos më shihte mësuesja dhe ashtu e kruspullosur lexoja aventurat e Odisesë dhe shokëve të tij si edhe veprat e Shekspirit të përshtatura për fëmijë. Libri tjetër që më la mbresë ishte “Zemra” e De Amicis, të cilin e lexoja duke bërë njëkohësisht gjënë më të mërzitshme për një fëmijë kur studion piano: shkallët dhe arpexhet.
Një libër tjetër që më ka lënë mbresë nga ajo periudhë është “Lulet në Detin e së Keqes” të një autori kinez që nuk ia mbaj mend emrin. Ai më futi në një botë të re dhe të cuditshme, ishte bota dhe kultura kineze e shekullit të XIX-të. Dhe sigurisht nuk mund të le pa përmendur “Aventurat e Cipolinos dhe shokëve të tij” të Xhani Rodarit. Para disa kohësh gjeta një kopje të vjetër të librit për gëzimin tim dhe të gjithë atyre që janë rritur me zonjën Kungulleshë, Usta Rrushin, Konteshat Vishnje, Baron Portokallin apo Kavalier Domaten e urryer. Mund të thuhet se në atë periudhë ne nuk lexonim libra, ne i gllabëronim ato, i gëlltisnim, jetonim dhe merrnim frymë me librat. Brezi ynë, brezi pa televizor dhe kompjuter ishte brezi që takimi i përditshëm pas shkollës ishte tek shtylla e elektrikut ku luanim përjashta deri sa errësohej, deri kur mamatë fillonin të thërrisnin nga dritaret dhe ballkonet emrat tanë, për të na futur brenda. Dhe atëherë fillonte leximi….Shpesh mbaj mend time më, që vinte natën vonë të mbyllte dritën dhe unë e ekzaltuar nga leximi i lutesha: “edhe pak, edhe 2 minuta sepse jam në pikën kulminante”! E dëgjoja që largohej duke mërmëritur….’kjo pika kulminante që nuk mbaron kurrë’!!
M.S.: Libri që nuk ke arritur ta përfundosh?
Felicita Jakoel: Libri që nuk kam mundur ta mbaroj…më vjen pak turp ta them por është “Liza në botën e cudirave”. Fakti qe, se ajo u fut në një vrimë dhe pastaj zvogëlohej e zmadhohej, dyert në të cilat nuk futej dot se ishin shumë të vogla apo krijesat e cuditshme me të cilat u ndesh më krijonin një gjendje paniku të cilën nuk ma krijonte as shtriga e Borëbardhës dhe as Ujku i keq i Kësulkuqes. Përvec kësaj përkthimi, që me sa duket ishte i viteve ‘30 ose ‘40 në një gegnishte arkaike, ku shumë e shumë fjalë nuk i kuptoja, e bëri shumë të vështirë vazhdimin e leximit.
M.S.: Librin që jepni më shpesh si dhuratë?
Felicita Jakoel: Pa dyshim se dhurata më e bukur është një libër. Unë mundohem të përshtas dhuratën- libër preferencial apo që mund ta pëlqejë vetë personi në fjalë. Tim shoqi mundohem gjithnjë t`i bëj dhuratë një libër që ka lidhje me Luftën e Dytë Botërore sepse ai është jashtëzakonisht i lidhur dhe i interesuar për këtë periudhë që sipas tij është më interesantja në historinë e njerëzimit. Miqve të mi mund t’u dhuroj një libër arti nga Shqipëria apo një kopje të “Pallatit të Ëndrrave” ose “Piramidën” e Ismail Kadaresë, ndërsa time motre një biografi interesante. Këto ditë jam duke ndërruar shtëpi. Po kalojmë nga një shtëpi më e madhe në një më të vogël. Shume libra ke, më tha im shoq, sikur të hedhësh ato që nuk të duhen! Duke buzëqeshur i thashë me shaka, librat nuk hidhen sepse aty ku hidhen libra, një ditë mund të hidhen njerëz.
Top Channel