Regjimi i Iranit arreston të rinj e mbështetës të MEK nga frika e një kryengritjeje

26/05/2020 18:59

Raportet e publikuara nga Rezistenca Iraniane nga Irani tregojnë se regjimi iranian ka nisur një valë të re arrestimesh të të rinjve e mbështetësve të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK).

Raportet që vijnë nga burgjet tregojnë se regjimi po përdor torturë fizike dhe psikologjike për t’ua thyer guximin të arrestuarve e për t’i detyruar të bëjnë ‘rrëfime’ në televizion.

Sipas Rezistencës Iraniane: “Të arrestuarit janë marrë në pyetje për orë të tëra, si dhe janë torturuar e u është bërë presion fizik dhe mendor. Sipas atyre që u kanë mbijetuar arrestimeve, marrja në pyetje ka qenë e fokusuar vetëm tek mbledhja e informatave lidhur me MEK dhe Njësitë e Rezistencës, marrëdhënien mes të arrestuarve dhe MEK, dhe pse e si janë tërhequr të rinjtë nga MEK-u.”

“Në Mashhad, marrësit në pyetje krijuan një skenë ekzekutimi të rreme për t’ua thyer rezistencën një grupi prej dhjetë të rinjsh, në mënyrë që t’i detyronin të rrëfeheshin dhe/ose të zbulonin lidhjen e tyre të mundshme me MEK. Në Teheran, torturuesit i ngacmojnë dhe i fyejnë rëndë gratë dhe vajzat e reja të arrestuara, me qëllimin për t’ua thyer rezistencën e për t’i detyruar të bëjnë rrëfime të rreme e të marrin pjesë në intervista e programe qesharake televizive,” shton Rezistenca Iraniane.

Më herët këtë muaj, regjimi arrestoi dy studentë elitarë, Amir Hossain Moradi dhe Ali Younesi, së bashku me 18 njerëz të tjerë, supozimisht për lidhjet e tyre me MEK.

Nga frika e një kryengritjeje të mundshme për shkak të politikave të tij shtypëse e të korruptuara, regjimi ka nisur një valë të re arrestimesh. Mbështetësit e MEK dhe të rinjtë kanë patur rol kryesor në kryengritjet, veçanërisht gjatë protestave mbarëkombëtare të Iranit.

I përmbytur nga krizat ndërkombëtare dhe i gjendur përballë një shoqërie në prag të shpërthimit, regjimi nuk është as i aftë e as i gatshëm t’i zgjidhë krizat shoqërore e ekonomike për shkak të korrupsionit të institucionalizuar. Prandaj, ai përpiqet ta mbajë nën kontroll shoqërinë e pabindur iraniane dhe t’i shmanget rrënimit të vet të menjëhershëm duke e rritur shtypjen.

Është detyra e komuniteti ndërkombëtar të ushtrojë presion mbi regjimin iranian në mënyrë që të shmangen shkelje të mëtejshme të të drejtave njerëzore, torturimet, dhe ekzekutime e mundshme të të arrestuarve.

Lidhur me këtë, Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), i ka bërë thirrje edhe një herë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Komisioneres së Lartë për të Drejtat e Njeriut, Raportueses Speciale mbi dhunën ndaj grave, dhe organizatave ndërkombëtare të të drejtave njerëzore që të dërgojnë delegacione ndërkombëtare për të vizituar burgjet e regjimit e për t’u takuar me të burgosurit politikë dhe njerëzit e arrestuar kohët e fundit, sidomos gratë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA