Forcat ajrore të SHBA kanë thënë se do të kenë gati dronët inteligjentë “Skyborg” në vitin 2023.

Robotët fluturues janë dizenjuar si një përzierje mes inteligjencës artificiale dhe gjuajtësve luftarakë, që do të fluturojnë përkrah avionëve me pilotë në misione të rrezikshme.

Ato do të jenë efektivë për sa i përket kostove dhe supozohet të shtojnë numrin e mjeteve të luftimit në ajër me më pak shpenzime.

Kompanitë që do të krijojnë disa tipe dronësh Skyborg do të paguhen $400 milionë nga Pentagoni, raporton rrjeti Defense News.

Fillimisht mjetet e reja mendohej të pilotoheshin në distancë nga avionët me pilotë pranë tyre por projekti planifikon mjete që fluturojnë me inteligjencën e tyre pranë gjuajtësit kryesor.

Shefi i blerjeve në forcat ajrore të SHBA, Will Roper, ka thënë se Skyborg do t’i ngjajë robotit fantastik R2-D2 në filmin Lufta e Yjeve, me të dhënat që i kalonin nga gjuajtësit kryesorë.

Vitin e kaluar Roper tha se ushtria po merrte në konsideratë krijimin e Skyborg të përshtatur me avionë F-35 të kompanisë Lockheed Martin dhe F-15EX të kompanisë Boeing.

Më tej ai shtonte se ardhja e dronëve autonomë “i hap dyert një mënyre krejt të re të luftës në ajër”.

Dronët mund të kryejnë misione si gjurmimi apo zhurmimi i mbrojtjes ajrore armike në zona të mbrojtura mirë.

Skyborg-ët mund të transportojnë raketat për avionët më të shpejtë F-22 Raptor e F-35, të cilët nuk mund të mbajnë shumë armatime duke fluturuar në modalitet anti-radar.

Qëllimi i dronëve Skyborg është të fluturojnë “në mënyrë autonome duke iu shmangur avionëve të tjerë, pengesave dhe motit të keq, si dhe të ulen e të ngrihen vetë”.

FOTO GALERI
2/5
Droni mbikqyres amerikan MQ-9 Predator B

Top Channel