Premier League/ Klubet, short për tifozë në stadium

25/05/2020 12:58

Qeveria britanike publikon direktivat e saj për rikthimin gradual të stërvitjeve te skuadrave, ndërkohë që kampionati parashikohet të nisë në 12 qershor.

Tashmë edhe futbolli anglez ka hyrë në Fazën 2 dhe skuadrat kanë marrë OK për kontaktet fizike gjatë stërvitjeve. Aktualisht ekipet e Premier league po punojnë në grupe të vogla, ndërkohë që të mërkurën do të bëhet votimi për rifillimin e stërvitjeve kolektive. Por në Angli po mendohet edhe për sezonin e ardhshëm pavarësisht pasigurisë që ekziston ende në vend për shkak të koronavirusit.

Sezoni aktual do të mbyllet me ndeshje pa tifozë, por në të ardhmen tifozët mund të kthehen në stadiume dhe për këtë po mendohen disa zgjidhje alternative sic është hedhja e shorteve. Lajmi publikohet nga tabloidi “The Sun”, që hedh idenë e shortit duke u nisur nga fjalët e Shefit të Mjekëve të Premier League, Mark Gillet i cili tha se situata nuk do të përmirësohet shumë në 6-12 muaj.

Kjo do të thotë se ose do të luhet pa publik edhe sezonin e ardhshëm ose me kapacitet të reduktuar në mënyrë që të respektohet rregulli i distancimit social. Gjithnjë sipas ‘”The Sun”, në lotari ku në lojë do të jetë abonimi për sezonin e ardhshëm, do të marrin pjesë të gjithë të abonuarit e sezonit 2019/2020. Në Premier Leaguen angleze të ardhurat më të mëdha sigurohen nga të drejtat televizive, por ka klube si Manchester United, Tottenham dhe Arsenal që sigurojnë 25% të të ardhurave të tyre pikërisht nga shitjet e biletave dhe aksesorëve të tjerë ditët e ndeshjeve, kështu që një sezon i tërë pa tifozë do të thotë për ta një rënie të ndjeshme të këtyre të ardhurave me 100 milionë Paund

Top Channel