Haaland kundër Lewandowskit/ Sfida e golave në Dortmund-Bayern

25/05/2020 14:52

E marta ka rezervuar atë që konsiderohet ‘Der Klassiker’ e Bundesligës gjermane, sfidën mes Borussia Dortmund dhe Bayern i Mynihut ku në lojë është titulli kampion i Gjermanisë pasi përballen vendi i parë me të dytin.

Bayerni i Mynihut është 4 pikë para verdhezinjve dhe këtë sezon kërkon të fitojë titullin e 8 radhazi, ndërsa Dortmundi do të kërkojë të thyejë hegjemoninë e bavarezëve.

Por kjo përballje ka edhe një sfidë brenda saj, atë mes goleadorëve të të dyja skuadrave dhe ku do të bazojnë lojën e tyre trajnerët respektivë. Nga njëra anë është talenti i ri Erling Haaland i cili i ka mahnitur të gjithë në Dortmund me ritmin e tij të shënimit të golave teksa ka shënuar 10 gola në 10 ndeshje me verdhezinjtë në Bundesligë ndërkohë që këtyre shifrave iu shtohen edhe 16 golat e shënuar në kampionatin austriak në pjesën e parë të sezonit.

Nga ana tjetër është eksperti Robert Lewandowski që këtë vit po fluturon drejt trofeut Këpuca e Artë me 27 gola me fanelën e Bayernit në këtë sezon. Në total të dy këta futbollistë kanë shënuar nga 41 gola secili në të gjitha kompeticionet kështu që e gjithë bota do të ketë sytë te këta dy sulmues që mesa duket do të kenë të gjithë peshën e lojës së skuadrave të tyre.

Nëse Dortmund do të arrijë të thyejë makinën perfekte të Bayernit, do të reduktojë në 1 pikë diferencën me rivalët bavarezë, në rastin e kundërt Bayerni do të bëjë një tjetër hap drejt suksesit të radhës në Bundesligë. Supersfida e futbollit gjerman do të luhet në Signal Iduna Park të martën në orën 18:30 me dyer të mbyllura dhe admiruesit e Bundesligës në Shqipëri do të mund ta ndjekin atë në platformën Digitalb.

Top Channel