Interi gjithçka për Cavanin, i ofron sulmuesit kontratë 3-vjeçare

24/05/2020 23:07

Pista që con te Timo Werner është komplikuar ndjeshëm për Interin, pasi vetë sulmuesi gjerman duket se preferon një transferim në kampionatin anglez, te skuadra e Liverpool, aty ku e pret krahëhapur patrioti i tij Jurgen Klopp.

Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e klubit zikaltër janë angazhuar maksimalisht për të sjellë në Milano Edinson Cavanin, një emër mjaft i vlerësuar nga Conte dhe mbi të gjitha me eksperiencë të madhe në Itali e Europë.

Sulmuesi uruguaian do të jetë një lojtar i lirë pas 30 qershorit, datë kur i përfundon kontrata me Paris Saint Germain dhe Marotta e Ausilio kanë gati një ofertë me pagë 7.5 milionë euro neto në sezon, për 3 vitet e ardhshme.

Vetë Cavani mirëpret një rikthim në kampionatin italian, atje ku u rrit dhe spikati para se të transferohej te PSG-ja, ndërsa te Interi do të ketë mundësi të luajë edhe në vitet e ardhshme për objektiva madhorë.

Nga ana tjetër Conte e vlerëson uruguaianin si për grintën që shfaq në fushë, ashtu edhe për karakteristikat teknike, duke qenë se është një sulmues që mund të luajë edhe si pykë, edhe si sulmues Iidytë, në krah të Lukakut, duke u bërë një alternativë e mirë për skemat e teknikut zikaltër.

Vlen të theksohet se Cavani ndiqet edhe nga klube të tjera europiane, por vetëm zikaltrit i ofrojnë kontratën më afatgjatë dhe mbi të gjitha një rol prej protagonisti, ndaj momentalisht favorizon transferimin te Interi.

Sulmuesi do të vihet në dispozicion të Thomas Tuchel më datën 22 qershor, kohë kur edhe do të nisë grumbullimi e stërvitja e Paris Saint Germain, por pas vetëm një jave, do të lërë kryeqytetin francez dhe do të zbulojë edhe zgjidhjen e tij për të ardhmen.

Top Channel