Një shkencëtar amerikan thotë se njerëzit nuk duhet ti varin shpresat e tyre tek një vaksinë për covid 19, që do të zhvillohet shpejt ndërkohë që numri i infektimeve globale kapërcen shifrën 5 milionë pas rritjeve në Amerikën Latine, përfshirë Brazilin që ka regjistruar thuajse 20 mijë raste të reja në 24 orë.

Uilliam Haseltine, kërkues për kancerin, HIV/AIDS dhe gjenet njerëzore, thotë se përpjekja më e mirë për të luftuar pandeminë është të menaxhohet sëmundja përmes gjurmimit të kujdesshëm të infektimeve dhe masave strikte të izolimit kur ajo fillon të përhapet. Ai nënvizon se pavarësisht se për vaksinën po punohet, nuk duhen varur shpresat tek ajo por njerëzit duhet të vendosin maska, të lajnë duart, të pastrojnë sipërfaqet dhe të ruajnë distancën.

“Mos dëgjoni politikanët që thonë se do të kemi një vaksinë në kohën kur zgjedhjet të afrohen”, thotë ai. “Ndoshta, ne do ta kemi vaksinën një ditë, por unë them se ajo nuk është zgjidhja…sepse sa herë që njerëzit janë përpjekur të bëjnë vaksinë, për Sarsin apo Mersin, ato faktikisht nuk kanë garantuar mbrojtjen. Sipas tij, vaksinat e prodhuara më herët, për lloje të tjera koronavirusi nuk kanë mundur të mbrojnë membranat mukoze në hundë nga ku virusi hyn zakonisht në trup.

SHBA dhe vende të tjera nuk kanë bërë sa duhet për të izoluar me forcë njerëzit e ekspozuar ndaj virusit, thotë ai, duke lëvduar në anën tjetër Kinën, Korenë e Jugut dhe Tajvanin për qasjen e tyre. Sipas Haseltine, SHBA, Rusia dhe Brazili, që renditen të parat, kanë vepruar keq. Ndërsa numri i infektimeve globale e kaloi shifrën 5 milionë, Brazili raportoi 19951 raste të mërkurën duke e cuar totalin në 291579. Nëse tendenca vazhdon, shumë shpejt Brazili do t’ia kalojë Rusisë për sa i takon numrit të rasteve.

Top Channel