Toka hapet papritur në Ankara dhe “përpin” kamionin, shoferi shpëtohet me ekskavator

24/11/2026 15:14

Një automjet i tonazhit të rëndë u fundos në një gropë të madhe pas shembjes së një pjese të parkingut të një qendre tregtare.

Shoferi mbeti i bllokuar brenda automjetit.

Një incident i pazakontë është regjistruar në Ankara të Turqisë, ku toka është shembur papritur në parkingun e jashtëm të një qendre tregtare, duke bërë që një automjet i tonazhit të rëndë të përfundonte brenda gropës, raportojnë mediat turke.

Ngjarja ndodhi në qendrën tregtare Acity, në zonën Yenimahalle. Si pasojë e shembjes së tokës, automjeti që ndodhej në parking ra në kraterin e krijuar, ndërsa drejtuesi i tij mbeti i bllokuar brenda kabinës.

Për nxjerrjen e shoferit u desh ndërhyrja e një ekskavatori, me ndihmën e të cilit ai u shpëtua dhe u nxor nga automjeti.

Pas incidentit, administrata e qendrës tregtare mori masa sigurie duke kufizuar hyrjen në zonën e shembur. Ndërkohë, ekipet nisën punën për nxjerrjen e automjetit nga gropa.

Shiko videon:

Top Channel