Brazili ka regjistruar një rekord të numrit të përditshëm të viktimave si pasojë e koronavirusit, 1,179.
Deri më tani, ky virus është lidhur me pothuajse 18,000 fatalitete në këtë shtet. Sa i përket infektimit, Brazili aktualisht gjendet në vendin e tretë më të prekur në botë nga sëmundja Covid-19, që shkakton ky virus. Vetëm në 24 orët e fundit janë konfirmuar 17,408 raste pozitive, derisa vëzhguesit kanë thënë se piku i virusit në këtë shtet mund të pritet në muajin qershor.
Brazili është i ndarë thellësisht për mënyrën sesi duhet luftuar pandeminë. Presidenti Jair Bolsonaro vazhdimisht ka ulur rrezikun e virusit dhe beson se masat e izolimit, të zbatuara nga guvernatorët rajonalë, do t’i bëjnë më shumë dëm ekonomisë dhe rrjedhimisht edhe njerëzve, sesa vetë virusi. Duke folur live në facebook, Bolsonaro tha se do të nënshkruhej një protokoll që zgjeron përdorimin e ilaçit kundër malarjes, klorokinë, jo vetëm për pacientët në gjendje kritike. Ai tha edhe se mbante një kuti të vogël me klorokinë gjithnjë me vete në rast se mamaja e tij 93 vjecare do të kishte nevojë për të. Pak ditë më parë, ministri i shëndetësisë në Brazil dha dorëheqjen siç tha ai, për shkak të presionit për të nënshkruar protokollin e ri. Prej ditësh në fakt Brazili ka tërhequr vëmendje për shkak të rritjes së vazhdueshme të rasteve të koronavirusit në vend.
Pas Kinës, Evropës dhe SHBA, Amerika e Jugut është tani epiqendra e re e pandemisë. Përvec Brazilit, edhe Peruja ka regjistruar rreth 100 mijë infektime dhe 3 mijë viktima dhe po i kërkon tani banorëve të mbajnë maska. Në Venezuelë, ka rreth 600 raste, por izolimi po thellon krizën ekonomike në vend. Me rreth 9 mijë raste të konfirmuara, Argjentina është në një pozicion më të mirë se Brazili fqinj. Por mjekët po përpiqen të parandalojnë përshkallëzimin e situatës. Ndërsa Kili ka rreth 50 mijë raste dhe 500 viktima deri më tani. Ndërkohë që në vend kanë nisur protestat për varfërinë që po thellohet dhe vendet e humbura të punës.
Numri global i infektimeve ndërkohë po shkon në rreth 5 milionë. Sipas të dhënave, ka tani 4,893,195 raste të konfirmuara në të gjithë botën, nga të cilat 1,686,487 janë të shëruarit dhe 322,861 viktimat.
Top Channel