Ekipet nisin stërvitjen/ Lojtarët dalin në fushë pas dy muajve pushim

18/05/2020 16:25

Kjo e hënë është dita kur skuadrat e Kategorisë Superiore lejohen të rifillojnë stërvitjet e tyre në grup pas një pauze 2 mujore të shkaktuar nga pandemia coronavirus.

Teuta është një ndër skuadrat e para që e kanë filluar punën menjëherë pasi mësoi vendimin e lejimit për rinisjen e stërvitjeve në ambienteve të hapura me futbollistët durrsakë që zbritën në fushën e Niko Dovanës për të filluar përgatitjet e tyre. Po këtë të hënë është kthyer në fushë edhe skuadra e Partizanit.

Futbollistët dhe stafi teknik i klubit kryeqytetas me në krye trajnerin Sormani zhvilluan këtë seancën e parë stërvitore, sigurisht duke respektuar protokollin sanitar teksa është bërë kontrolli individual për çdo futbollist.

Përpara disa ditësh, Federata Shqiptare e Futbollit dhe presidentët e klubeve arritën një marrëveshje për rifillimin e Kategorisë Superiore në datën 3 qershor, një datë kjo që gjithsesi duhet të gjejë edhe miratimin e autoriteteve shtetërore.

Top Channel