Postimi në rrjetet sociale, Leipzig hedh dritë mbi të ardhmen e Timo Werner

17/05/2020 21:59

Sulmuesi i talentuar gjerman Timo Werner duket se do t’i bashkohet Liverpoolit sezonin e ardhshëm, ndërsa sinjalet që konfirmojnë këtë hipotezë vijnë pikërisht nga klubi i tij aktual, RB Leipzig.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, ku rendisin disa arsye pse duhet mbështetur skuadra këtë periudhë, në të 11-ën në radhë ata kanë etiketuar fansat e Liverpoolit dhe me mesazhin e përcjellë, kanë qartësuar të ardhmen e Werner.

“Tifozë të Liverpoolit. Ju doni Timo Werner, ashtu si edhe ne. Kështu që le ta mbështesim atë së bashku”, shkruhej në faqen zyrtare të Leipzig në Instagram, ndërsa nga mediat në Gjermani kjo u komentua si një sinjal i qartë që marrëveshja mes dy klubeve është arritur tashmë.

Timo Werner është një nga të preferuarit e Jurgen Klopp, që u angazhua personalisht për ta bindur gjermanin të transferohet në “Anfield Road”, ku bashkë me Mane, Salah e Firminho, do të formojnë një sulm të frikshëm,.

Në këtë mënyrë del tërësisht nga gara Interi, që kishte planifikuar gjermanin si njeriun e duhur për të marrë vendin e Lautaro Martinez, nëse ky i fundit do të transferohet te Barcelonë, ndaj zikaltrit tani janë përqendruar në pista si ajo e Mertens dhe Cavani, dy lojtarë që do të jenë të lirë gjatë kësaj vere.

Top Channel