Largimi më se i mundshëm i Lautaro Martinezit (me destinacion Barcelonën) ka aktivizuar edhe më shumë drejtuesit e Interit për të gjetur një zëvendësues të denjë për argjentinasit. Mediet italiane kanë zbuluar disa emra vërtet interesantë, që janë në “radarët” e zikaltërve. Timo Werner është një ndër sulmuesit që më shumë po kërkohet nga klube të ndryshme europiane, me Liverpoolin në krye. Gjithsesi, Interi është gati të përfshihet në garë për të drejtat sportive të futbollistit të Leipzigut.

24-vjeçari e ka shprehur hapur dëshirën për të provuar një kampionat tjetër, ndërsa klauzola e largimit në kontratën me Leipzigun reduktohet mes 50 dhe 60 milionë eurove nëse skuadra e tij nuk shpallet kampione, një shifër që zikaltrit do ta dispononin falë të ardhurve që do të përfitonin nga transferimi i Lautaros në Barcelonë.

Në listë është edhe Edinson Cavani. Uruguaiani është në fund të kontratës me PSG-në. Shumë destinacione janë përmendur, por nuk ka asgjë konkrete për sulmuesin aktual të parizienëve, dhe rikthimi në Itali, jo më në Palermo e Napoli, por në Milano, është një hipotezë që po merret në konsideratë.

I fundit, por jo më pak i rëndësishmi, Dries Mertens. Edhe belgu, ashtu si Cavani, është në fund të kontratës me Napolin dhe nuk do të ketë rinovim. Nga tri hipotezat e përmendura, kjo e Mertens duket më pranë realizimit, për momentin, madje 33-vjeçari është vetëm një hap larg zikaltërve.

Top Channel