Kosovë, rriten të infektuarit/ Mikrobiologu: Kujdes me hapjen!

13/05/2020 14:27

Gjatë tre ditëve të fundit, në Kosovë u regjistruan mbi 50 raste me Covid-19 duke rritur shqetësimin, se masat kufizuese nuk po respektohen sa duhet.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit u shënuan 24 raste të reja, që është numri më i lartë në një ditë kohët e fundit, duke vënë në dyshim kështu mundësinë e lehtësimit të masave të parapara për fazën e dytë. Rritja e numrit të të infektuarve me Covid-19 bëri që autoritetet e shëndetësisë në Kosovë të tërheqin vërejtjen, duke paralajmëruar se masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, mund të shtohen nëse qytetarët nuk respektojnë rregullat e parapara.

Edhe mikrobiologu i njohur në Kosovë Lul Raka, shkroi në profilin e tij se “vendi mund te ketë fituar një betejë më koronavirusin e ri, por si çdo shtet në botë është ende shumë larg mposhtjes së plotë të sëmundjes”.

Sipas tij, dalja e parakohshme nga izolimi “do të ishte e rrezikshme”. “Duke marrë parasysh numrat e javës së fundit të të prekurve me COVID-19, Kosova betejën me këtë sëmundje e ka fituar, por për luftën është ende herët të flitet. Kujdesi i qytetarëve ka qenë vendimtar që të kemi këtë numër infektimesh, ama duhet të vazhdojë edhe pas lirimit të masave.

Njerëzit duhet të fokusohen tek mbulimi I dytyrës me maska aty ku ka grumbullime dhe të vazhdojnë me higjienën e duarve”, thotë mikrobiologu.

Top Channel