Kampionati duket afër/ Modeli gjerman, futbollistët me maska në stërvitje dhe në distancë

12/05/2020 20:38

Duket se dita e rikthimit të futbollistëve në fushë, zyrtarisht është shumë e afërt.

Në ditën e dytë të takimeve të ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Federata Shqiptare e Futbollit, gjërat kanë ecur pozitivisht me ritme të larta. Mjekja përfaqësuese e FSHF Arjana Sina, në një intervistë për Top Channel tregon detajet mëtejshme.

“Mes dëshirës së madhe për të bërë dicka të mirë ka dhe disa protokolle që duhen respektuar. FSHF ka paraqitur një program shumët ë mirë i marrë nga modeli Gjerman dhe i përshtatur për kushtet tona”.

Po cilat janë kriteret shtesë të protokollit të stërvitjes, përvec kritereve bazë që jemi mësuar tashmë, ato që lidhen me higjienizimin vetjak apo mënyrën e të kolliturit apo të tështiturit?

“Lojtarët do të vijnë me makinat e tyre në stërvitje. Zhvillimi i stërvitjes në distanca të pranueshme dhe mospërdorimi i dusheve pas stërvitjes. Për sa i përket kontrolleve, do të kemi një dokument deklarimi përpara fillimit dhe në fund të stërvitjes ku janë listuar një listë shqetësimesh apo simptomash që lidhen me virusin COVID 19. Simptoma si temperatura, gjë që do matet edhe aty, ethet, kollë, apo probleme me frymëmarrjen”.

Me fjalë të tjera kur fillon stërvitja dhe kur mendohet që të fillojë kampionati?

“Me aq sa kemi kuptuar, le të themi që në datën 1 qershor ose pak më parë, skuadrat do të jenë gati për të filluar kampionatin pasi do të kenë ezauruar stërvitjen individuale dhe atë kolektive”. /Endi Tufa/

Top Channel