Rangnick pranon negociatat me Milanin, por palët janë ende larg marrëveshjes

11/05/2020 15:05

Prej muajsh flitet shumë për afrimin e gjermanit Ralf Rangnick në pankinën e Milanit, në rolin e trajnerit dhe drejtuesit teknik në të njëjtën kohë, ndërsa u aludua se edhe largimi i Zvonimir Boban erdhi pikërisht për këtë arsye.

Në klubin kuqezi për momentin janë shfaqur të rezervuar sa i përket këtij informacioni, ndërsa Paolo Maldini ka qenë i vetmi që ka dalë totalisht kundër idesë së afrimit të 53-vjeçarit, madje e ka këshilluar këtë të fundit të mësojë normat bazë të respektit.

Por sot vetë Rangnick ka preferuar të hedhë dritë mbi një transferim të mundshëm te Milani, duke pranuar ekzistencën e kontakteve me klubin kuqezi, por njëkohësisht duke thënë se nuk ka asnjë marrëveshje mes palëve.

“Me drejtuesit e Milanit kam folur kohë më parë, por pandemia bëri që gjithçka të mbetej pezull. Nuk e përjashtoj si mundësi që mund të transferohem atje, por më parë duhet të ndryshojnë shumë komponentë dhe nuk e di nëse do të piqen kushtet”, tha trajneri gjerman.

Ndërkohë në Itali e bëjnë fakt të kryer që nëse Rangnick do të vijë te Milani, atëherë Paolo Maldini do të largohet menjëherë, duke qenë se nuk mund të pranojë të bëjë rolin e “kukullës” në një klub ku vendimet do t’i marrë të gjitha trajneri.

Top Channel