Izolimi në kohë pandemie ka bërë që të intensifikohet dhuna në familje në Kosovë. Sipas policisë së Kosovës, në muajt marsit dhe prill, ka një shtim të raportimit të rasteve të dhunës në familje me 22 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Bajram Krasniqi, nga Zyra për informim në Policinë e Kosovës, thotë për KosovaPress se brenda këtyre dy muajve krahasuar me vitin 2019 ka një shtim të rasteve të dhunës në familje me 22 për qind.

Rajoni i Prishtinës kryeson për sa i takon numrit të rasteve të raportuara të dhunës në familje, pasuar nga gjakova dhe Prizreni. Ndërkohë, rrjeti i grave të Kosovës, thotë se gjatë kësaj periudhe, masat e marra nga qeveria kanë ndikuar në shtimin e dhunës në familje. Sipas Erza Kurtit, mundësia e raportimit është zvogëluar ndërsa dhuna në familje është rritur.

“Prej të dhënave të policisë që kanë deklaruar edhe mbrojtësit e viktimave, thonë se nuk është një dallim i madh të përqindjeve në situatë të zakonshme dhe brenda pandemisë, por ne e vërejmë se njerëzit na shkruajnë ose telefonojnë te linja e psikologëve që të tregojnë se kanë përjetuar dhunë në familje”.

Sipas saj, gjatë kësaj periudhe, është dashur që institucionet përkatëse të krijonin lehtësime për raportimin e dhunës në familje. Ajo thotë se situata është shqetësuese, pasi viktima, në këtë kohë izolimi, është e detyruar të jetojë me dhunuesin.

Top Channel