Gjendet e vdekur 9-vjeçarja e humbur në Portugali, babai e njerka të akuzuar

11/05/2020 20:51

Babai dhe njerka e një vajze 9-vjeçare e gjetur e vdekur në një fushë në Portugali, janë arrestuar sot si të dyshuar për vrasjen e saj dhe fshehjen e trupit.

Valentina Fonseca, e cila ishte shpallur e humbur prej të enjtes në Peniche të Portugalisë qendrore, u gjet e vdekur në zonën e afërt Atouguia de Baleia.

Kërkimet e dëshpëruara për Valentina përfshinë më shumë se 600 zyrtarë të mbrojtjes civile dhe vullnetarë, të cilët ‘krehën’ një zonë prej më shumë se 4,000 hektarë.

Policia gjyqësore vendase konfirmoi se babai i saj 32 vjeçar, dhe gruaja e tij 38 vjeçe, ishin arrestuar si të dyshuar për vrasjen e vajzës dhe fshehjen e trupit të saj.

Asnjë nga të dyshuarit nuk është emëruar nga autoritetet.

Koordinatori i policisë në Leiria, Fernando Jordao, tha se vajza mund të jetë vrarë që prej ditës kur u shpall e humbur, dhe trupi i saj mund të jetë çuar në fushën ku u gjet, në fund të asaj dite.

Ai shtoi se autoritetet po punojnë për të zbuluar shkakun e vdekjes, po tha se është e qartë që “vdekja ka ndodhur në një kontekst dhune”.

Jordao tha se nuk ka pasur raportime së fëmija tragjik kishte qenë objekt abuzimi në shtëpi. Ai shtoi se Valentina zakonisht jetonte me nënën e saj por kishte qenë për “disa kohë” me të atin që prej pandemisë së Covid-19.

Disa media raportonin se i ati kishte pranuar vrasjen dhe fshehjen e trupit por kjo nuk u konfirmua nga autoritetet.
Nëna e vajzës, Sonia Fonseca, lutej në mediat sociale para gjetjes së trupit: “Oh Zot,një tjetër natë kalon, një tjetër ditë vjen me orë të pafundme. Bija ime, engjelli im, të lutem kthehu te ne … kthehu në krahët tona”.

FOTO GALERI
3/3
Vajza me nënen e saj Sonia Fonseca

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA