Eriksen tregon karantinën: Mbeta vetëm, me ndaloi polici …

10/05/2020 22:34

Periudha e karantinës nuk ka qenë e njëjtë për të gjithë lojtarët. Ka nga ata që i ka gjetur të papërgatitur, si p.sh. danezin e Interit, Christian Eriksen, i cili, sipas gazetës angleze “The Sun”, nuk kishte ku të fuste kokën, pasi nuk kishte marrë ende një shtëpi me qira në Milano.

“Kam menduar t’u kërkoj ndihmë dy shokëve të mi, Young dhe Lukakut, që të qëndroja me ta, por kishin familjet tyre, për të cilat duhet të kujdeseshin. 14 ditë është një periudhë e gjatë për të fjetur në shtratin e dikujt tjetër”.

Ai zgjodhi ta kalonte këtë fazë në qendrën stërvitore të Interit:

“Kam qëndruar në ambientet e klubit me një kuzhinier dhe pesë anëtarë të stafit, që kanë preferuar të qëndrojnë në karantinë për të mbrojtur familjet e tyre”.

Eriksen madje shpjegoi se si duhej t’i jepte sqarime një polici:

“Ai më ndaloi dhe me italishten time të keqe u përpoqa të shpjegoja se çfarë po bëja, ku po shkoja dhe pse isha në rrugë.”

Danezi shpreson që sa më parë të ketë mundësi të luajë futboll:

“Kurrë më parë nuk kam pasur kaq shumë kohë të lirë, por nuk mund të shkoj as të bëj pazar. Nuk mund të ankohem, sepse është shumë më e vështirë për njerëzit e tjerë, por është shumë ndryshe nga sa jam mësuar. Kam vrapuar në parking dhe kam llogaritur që mund të vrapoj 35 metra dhe pastaj të kthehesha. Nuk kam prekur top me këmbë në shtatë javë, periudhën më të gjatë të jetës sime…

Top Channel