Cannavaro ëndrron Premier League-n: Adhuroj mentalitetin e Kloppit dhe filozofinë e Pepit

10/05/2020 07:52

Fabio Cannavaro, trajner i Guangzhou Evergrandre, e tregoi hapur ambicien e tij për “Sky Sports Uk”. Kampioni i botës me Italinë në vitin 2006 e sheh të ardhmen e tij në krye të një klubi të rëndësishëm në Europë, pse jo në Premier League.

“Sot për sot stërvit një nga klubet më të mira aziatike, por në të ardhmen do të më pëlqente të provoja një eksperiencë në Europë. Në Premier League? Ndoshta. I shoh të gjitha ndeshjet, më pëlqen shumë atmosfera që krijohet në stadiumet e Premier League-s dhe kultura e futbollit angleze.”

Italiani, i cili ka patur një karrierë të shkëlqyer si futbollist te Napoli, Parma, Interi e Juventusi në Serinë A dhe te Real Madridi në Spanjë tregon se adhuron mentalitetin e Jurgen Kloppit dhe filozofinë e Pep Guardiolës.

“Ndodhem në Kinë për të provuar që të përmirësohem si trajner. Mund të them se adhuroj mentalitetin e Kloppit dhe filozofinë e Guardiolës. Duhet gjithmonë të luash me intensitet me apo pa top dhe në të njëjtën kohë duhet të kontroll ndeshjesh dhe të provosh të fitosh. Kam idetë e mia dhe shpresoj që një ditë të kem mundësi t’i shpalos në Premier League.”

Top Channel