Ndërprerja e futbollit për shkak të pandemisë Covid-19 u shërbeu shumë futbollistëve të dëmtuar në mbarë globin, që të rikuperohen dhe të jenë të gatshëm për “maratonën verore” që pritet të zhvillohet për të përfunduar sezonin 2019-2020.

Megjithatë ndonëse shtëpia është ambienti më i sigurt për një futbollist, nuk ka ndodhur kështu me sulmuesin serb të Realit të Madridit, Luca Jovic, i cili ka pësuar një dëmtim gjatë ushtrimeve fizike në banesën e tij.

Analizat mjekësore të kryera sot në ambientet e klubit madrilen kanë konfirmuar se sulmuesi serb pritet të qëndrojë jashtë fushave të lojës përreth dy muaj dhe ky nuk është aspak një lajm i mirë për Zidane, që ka nevojë të ketë sa më shumë futbollistë të gatshëm.

Luca Jovic iu bashkua Realit të Madridit verën e kaluar, pasi Florentino Perez vendosi të paguajë 60 milionë euro në arkat e gjermanëve të Eintracht Frankfurt, por gjatë thuajse një sezoni, nuk ia ka dalë të bindë Zidane dhe të fitojë një vend në formacion.

Pikërisht për këtë arsye madrilenët kanë ndërmend ta largojnë gjatë merkatos së verës, ndërsa ofertat në drejtim të 22-vjeçarit nuk mungojnë, me Milani që është treguar më konkrete në interesimin e saj.

Top Channel