Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministrat e landeve ranë dakord për lehtësimin e mëtejshëm të kufizimeve për pandeminë e koronavirusit.
Pas diskutimeve Merkel tha në Berlin se sheshet e lojërave për fëmijë dhe institucione si muze, vende përkujtimore, kopshte zoologjike dhe kopshte botanike mund të rihapen nëse plotësojnë kushtet e sigurisë për pandeminë e koronavirusit. Komunitetet fetare kanë propozuar edhe kushte nën të cilat mund të rifillojnë edhe shërbesat fetare në mbarë vendin. Përveç rregullave të higjienës dhe të distancës, koncepti përfshin edhe rekomandimin për të mos kënduar dhe përdorur instrumente frymore.
Mendohet se si ata që këndojnë edhe ata që u bien instrumenteve frymore lëshojnë më shumë spërkla infektive. Merkel tha se diskutimet e deritanishme mes qeverisë federale dhe landeve janë “një hap i ndërmjetëm”. Më 6 maj do të zhvillohet një takim tjetër ku do të merren në shqyrtim pasojat e pas lejes për hapjen e dyqaneve 14 ditë më parë, tha Merkel.
Kancelarja theksoi se qëllimi kryesor është që të ngadalësohet përhapja e virusit në mënyrë që sistemi shëndetësor të mund të përballojë numrin e njerëzve që mund të preken rëndë nga sëmundja.Nëse kurba e infeksioneve do të rritet përsëri me shpejtësi, ne duhet të jemi gati për të reaguar, tha Merkel dhe paralajmëroi që askush nuk duhet të kujtojë se tani gjendja është e sigurt.
Në vendim e qeverisë gjermane thuhet se në rast se do të ketë “dinamika rajonale me numër të madh infeksionesh të reja institucionet duhet të reagojnë menjëherë. Takimi i 6 majit do të përqendrohet posaçërisht në konceptet për hapjen graduale të shkollave, kopshteve apo dhe ambienteve sportive, ndërsa hapja e sektorëve të tjerë si gastronomia dhe turizmi do të diskutohet më vonë.
Top Channel