Lufta në Lindjen e Mesme/ SHBA mbyll ambasadat në Arabinë Saudite dhe Kuvajt, zvogëlon praninë konsullore në disa vende të tjera të rajonit
Agjencitë amerikane të inteligjencës po hedhin poshtë të paktën një teori në lidhje me origjinën e koronavirusit, duke thënë se provat tregojnë se virusi nuk është krijuar në një laborator kinez.
Por zyrtarët thonë se ata ende po shqyrtojnë nëse shpërthimi, i cili filloi në Kinë, u shkaktua nga kontakti njerëzor me kafshët apo nëse u përhap si rezultat i ndonjë aksidenti shkencor.
Komuniteti amerikan i inteligjencës “pajtohet me konsensusin e gjerë shkencor që virusi COVID-19 nuk është prodhuar nga njeriu dhe as është diçka e modifikuar gjenetikisht,” tha të enjten zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare në një deklaratë publike, diçka e rrallë kjo kur është fjala për një çështje që vazhdon të hetohet.
“Siç bëjmë në të gjitha krizat, ekspertët e komunitetit të inteligjencës veprojnë duke rritur ndjeshëm burimet dhe duke nxjerrë të dhëna me rëndësi kritike mbi çështje jetike për sigurinë kombëtare të SHBA,” thuhet në deklaratë.
“Komuniteti i inteligjencës do të vazhdojë të shqyrtojë me rreptësi informacionin dhe të dhënat në zhvillim për të përcaktuar nëse shpërthimi filloi përmes kontaktit me kafshë të infektuara apo nëse ishte rezultat i një aksidenti në një laborator të Wuhanit,” thuhet aty.
Shtëpia e Bardhë ka kërkuar një hetim më të plotë mbi origjinën e COVID-19. Presidenti Donald Trump ka hedhur vazhdimisht dyshime mbi deklaratat e bëra nga Kina dhe nga Organizata Botërore e Shëndetit.
Të mërkurën, Presidenti Trump u tha gazetarëve se ai kishte parë disa prej gjetjeve në hetimin e bërë nga komuniteti i inteligjencës.
“Hetimi është duke ardhur dhe mua po më sjellin pjesë të tij. Ne nuk jemi aspak të kënaqur… Jemi deri tani kontribuesi më i madh i OBSH-së, i shëndetit botëror dhe ata nuk na treguan të vërtetën,” tha ai.
“Tani për tani, ata me plot gojën një zëdhënës i Kinës. Kështu e shoh unë,” shtoi zoti Trump.
Edhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo vuri në dyshim transparencën e Kinës, dhe la të kuptohet se Pekini mund të jetë duke vazhduar ta vërë botën në rrezik.
“Ne nuk e dimë saktësisht se nga lindi ky virus. Ka shumë laboratorë që po vazhdojnë të kryejnë punë,” tha ai. “Ne nuk e dimë nëse ata po veprojnë në nivelet e duhura të sigurisë për të mos lejuar që kjo të ndodhë përsëri.”
Thëniet se virusi COVID-19 është krijuar në një laborator kinez, ose ka shpëtuar nga një laborator, vazhdojnë prej javësh. Po ashtu edhe teoritë e tjera, shumë prej të cilave janë diskredituar si thashetheme ose si pjesë e fushatave dezinformuese.
Por deklarata e së enjtes nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare tregon me sa duket se zyrtarët amerikanë të inteligjencës kanë arritur ta kuptojnë më mirë origjinën e pandemisë.
Dy javë më parë, një zyrtar amerikan i inteligjencës i tha Zërit të Amerikës se agjencitë ishin “duke ndjekur në mënyrë aktive dhe të fuqishme çdo informacion”, por komuniteti i inteligjencës “nuk kishte arritur në një mendim të vetëm për ndonjë teori të caktuar.”/VOA/
Top Channel