Si do të pushojnë europianët këtë vit? Ministrat e Turizmit të BE nuk kanë ndonjë plan kohor për rigjallërimin e udhëtimit.

Por pushimet pas pandemisë duken të destinuara të kalohen në rajone të afërt. “Nuk duket se ka gjasa që turistët gjermanë këtë verë të shkojnë në Spanjë apo në Greqi. Më shumë mundësi ka që të pushojnë brenda vendit ose në rajone të afërta”, thotë Thomas Bareiß , përgjegjës për turizmin në Ministrinë Federale gjermane të Ekonomisë.

Gjendja ekonomike e industrisë së turizmit nuk është katastrofale vetëm në Europën jugore rreth Detit Mesdhe por edhe në Gjermani, thotë DW. Ekonomia e turizmit pret një rënie të prenotimeve të pushimeve me 70% këtë vit. Por më rëndë do të goditen koncernet turistikë të kroçerave, ku prenotimet do të shënojnë një rënie 90%, llogarit Komisioni Europian.

Industria e turizmit në BE sjell 10% të prodhimit të përgjithshëm bruto. Në disa vende si Greqia apo Malta kapaciteti ekonomik i industrisë së turizmit arrin afër 25%. Ministri kroat i Turizmit, Gari Capelli, që mban kryesinë e radhës në BE shprehu shpresën, se europianoveriorët, megjithë pandeminë, do mund të udhëtojnë në jug, si një akt të solidaritetit europian.

“Kemi nevojë për një plan të përbashkët për rimëkëmbjen e turizmit”, tha Capelli. Ajo që kërkohet është një koncept i përbashkët shëndetësor dhe një “pasaportë shëndetësore e koronavirusit”, sipas Capellit.

Kurse ministrja e Turizmit të Maltës, Julia Farrugia Portelli, kërkoi standarde të përbashkëta të BE lidhur me mbrojtjen e shëndetit në hotele, restorante, avionë dhe plazhe. “Ka rreziqe, por ne duhet të dimë t’i menaxhojmë ato”, deklaroi Portelli.

Top Channel