Zbardhet vrasja e dyfishtë në Lezhë/ Arrestohet autori i dyshuar i ngjarjes kriminale, në kërkim vëllai i tij

28/04/2020 10:14
Një nga viktimat, Kol Murrani

Është zbardhur ngjarja e ditës së djeshme në pyllin e fshatit Lalm Lukaj, ku u gjetën të vrarë me armë zjarri shtetasit Kol Murrani dhe Preng Simoni.

Ndërkohë mësohet se autori kryesor i dyshuar i vrasjes së dyfishtë, Aleksandër Perdoda është arrestuar nga policia dhe është  shpallur në kërkim vëllai i tij, për përkrahje të autorit të krimit.

Policia thotë se Perdoda ka qëlluar me armë për arsye pronësie, pasi pretendon se pjesa ku ka ndodhur krimi është pronë e tij.

Vrasja e dyfishtë në Lezhë/ Konflikte të vjetra pronësie dyshohen si shkak i krimit, detaje

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në pyllin e fshatit Lalm Lukaj, Lezhë, ku u gjetën të vrarë me armë zjarri shtetasit K. M. dhe P. S., Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, i përbërë nga specialistët e Krimeve të Rënda në DVP Lezhë dhe specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë. Në ndihmë të Policisë vendore shkuan edhe grupe të FNSH Shkodër.

Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, u bë i mundur sigurimi i provave për autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasi A. P., 40 vjeç, banues në Lalm, Lezhë, person me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit.

Bazuar në prova të arsyeshme, Policia bëri kapjen dhe shoqërimin e shtetasit A. P. dhe në përfundim të veprimeve u bë ndalimi i këtij shtetasi, për veprën penale “Vrasja”.

Po në lidhje më këtë ngjarje është shpallur në kërkim edhe vëllai i autorit të dyshuar, shtetasi E. P., i cili dyshohet se ka ndihmuar të vëllanë për fshehjen e provave.

Nga tërësia e veprimeve dyshohet se ky shtetas i ka qëlluar me armë për arsye pronësie, pasi pretendon se pjesa ku ka ndodhur krimi është pronë e tij.

Policia e Qarkut Lezhë vijon kontrollet intensive për gjetjen dhe kapjen e shtetasit E. P., si dhe vijon kontrollin e territorit përreth për gjetjen e armës së krimit“, njofton policia.

FOTO GALERI
2/12

Top Channel