Gjykata e Apelit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nuk e vlerësoi urgjente dhe të ngutshme gjykimin e ish ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, i cili ka hyrë ne telashe me drejtësinë prej tre vitesh.
Treshja gjyqësore e përberë nga Nure Dreni, Albana Boksi dhe Nertina Kosova cituan për këtë vlerësim aktin normativ sipas të cilit përmendet se gjykatat duhet të kufizojnë veprimtarinë për të parandaluar përhapjen e virusit. Gjykata deklaroi shtyrje për herë të dytë të procesit ndaj Tahirit dhe ish drejtorit të policisë Jaeld Cela, që nga një i zyrtar policie ka përfunduar në një të kërkuar.
Saimir Tahiri nuk ishte i pranishëm në gjykim, por vetëm avokatët mbrojtës, ndërkohë qe veç palëve nuk u lejua prania e publikut ashtu sikurse kërkohet mes masave anti-covid.
Gjykata vendosi që seanca e radhës të mbahet në datën 13 maj. Ish ministri u dënua për shpërdorim detyre me 3 vjet shërbim prove. Akuzat e tjera të drogës dhe grupit kriminal u rrëzuan si të paprovuara nga shkalla e parë.
Por veç covid-it në ditët në vazhdim shkalla e dytë do të përballet me një tjetër sfidë të hapur nga avokatët , që kërkojnë përjashtimin e trupës gjyqësore, pasi është konsumuar në gjykime të grupit Habilaj. Kjo do ta vendosë në vështirësi apelin qe vuan nga mungesa e gjyqtarëve dhe që në rast pranimi të kërkesës do ti shtrijë dorën për ndihmë qeverisë së gjyqësorit. /Anila Hoxha/
Top Channel