Kemi nisur në rubrikën e Vitrinës së Librit një kolonë me titullin “Librat që më bënë mua”.
Kjo është një mënyrë për të gëzuar në këto ditë të zymta ngujimi, por dhe një mënyrë për t’i ardhur në ndihmë vetes dhe lexuesit nëpërmjet një forme tjetër alternative, veç leximit, të dëgjuarit muzikë apo dhe ndjekjes së ndonjë filmi. Mendoj dhe besoj fort se është një mendim shumë frymëzues, për të luftuar të keqen, që sot ndihet më shumë se në një botë të lirë.
Ky do të jetë një koleksion i përsosur i disa personaliteteve publikë mbi atë çfarë librat kanë përcjellë në jetët e tyre. Nuk e di nëse kjo rubrikë mund të shkojë përtej kohës së ngujimit të të gjithëve, por një gjë e di me siguri. Kjo është një rubrikë që në një kohë të ardhme do t’u shërbejë jashtëzakonisht lexuesve të rinj, për të mësuar mbi përvojat e leximit të secilit personazh – librat e tyre të parë, kujtimet e tyre të hershme, si janë bërë lexues të mirë dhe çfarë i bën ata lexues sot. Personazhi ynë sot është:
Lindita Arapi
Lindur në vitin 1972 në Lushnje. Kreu studimet e larta për Letërsi në Universitetin e Tiranës në vitin 1994, më pas vazhdoi studimet në Köln dhe Vjenë, duke i përfunduar me doktoraturë në fushën e kulturologjisë në Universitetin e Vjenës në vitin 2001. Tema e disertacionit mbi konstruktimin e imazhit dhe paragjykimeve për shqiptarët në letërsinë e udhëtimeve, publicistikën e përshkrimet në gjuhën gjermane. Arapi punon si redaktore në redaksinë shqipe të Deutsche Welle-s në Gjermani.
M. S. Cilët janë ata libra që ndikuan në personalitetin tënd?
Lindita Arapi: Ka qenë një kohë kur leximi ishte e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga asfisksia shqiptare e diktaturës. Atëherë lexoja klasikët, Balzac, Shakespeare,Molier, Victor Hygo. Me vuajtjet e Kozetës identifikohesha. Libra të ndaluar rrallë të binin në dorë. Ka qenë edhe një libër “Dashuria e Mimozës”, që mbaj mend se e lexoja fshehurazi, e më vinte turp që e lexoja fshehurazi prindërve. Kaq e ngulitur ishte frika se mos thyeje tabutë.
M. S. Cili është libri që aktualisht po lexon..?
Lindita Arapi: Janë dy libra që kam në dorë gjermanisht. “Festa e Cjapit” e Mario Vargas Llosas dhe “Rrëfenja e shërbëtores” e Margaret Atwood.
M. S.: Po libri që të ndryshoi jetën?
Lindita Arapi: Duhet të kenë qenë disa, nuk më kujtohet një libër i caktuar. Ka qenë një kohë që adhuroja poeten amerikane Sylvia Plath. Leximi i saj ishte si të përballojë një cunam. I rëndë, po që të mbante lidhur. Po njëkohësisht m’u bë e qartë, se femrat që shkruajnë zgjedhin një rrugë të rrezikshme.
M. S.: Libri që të ndikoi më shumë për të shkruar ?
Lindita Arapi: Edhe këtu duhet të kenë qenë disa libra. Sepse zhvillimi i një autori është një proces i gjatë, e aty lenë gjurmët e veta disa libra, jo një i vetëm.
M.S. Libri që është mbivlerësuar më shumë me pa të drejte? Si e keni përjetuar ju atë?
Lindita Arapi: “Serotonin” i Michel Houellebecq. E bleva me kuriozitet vjet, se u bë zhurmë mediatike më parë. Megjithëse është e kuptueshme që ai e vë gishtin në plagët e shoqërisë perëndimore, prapë depresioni i një burri në moshën e “midlife-crisis” që mendjen e ka vetëm te të bërit sex, bëhej i bezdisshëm. Një përshkrim i fiksimit total të mashkullit tek seksualiteti, burri nuk ka ndërmend gjë tjetër sapo sheh prapanicat e një të reje me shorts, e kështu fillon madje libri.
M. S. Libri i fundit që ju ka bërë të qeshni?
Lindita Arapi: Librat e Elena Ferrantes mbi marrëdhënien me shoqen – të bënin të qeshësh, të buzëqeshësh, por edhe të përtypesh nganjëherë, që të mos derdhësh ndonjë lot.
M. S.: Libri që nuk ke arritur ta përfundosh?
Lindita Arapi: Duhet të jenë disa, po nuk do thoja ndonjë titull konkret për hir të autorit që ka bërë mundimin, e i ka dalë huq. Askush nuk është i imunizuar nga dështimi letrar.
M. S.: Libri që ju vjen shumë turp që se keni lexuar ende?
Lindita Arapi: Oh, edhe këtu lista është e gjatë, sepse ka kaq shumë libra të mirë, sa të duhet më shumë se një jetë për t’i lexuar të gjithë. Angazhimet e përditshme, puna janë armike të leximit, dhe unë pres gjithmonë një kohë të artë të mirë, kur të jem një gjyshe e mirë (shpresoj) dhe të kem të gjithë kohën që dua për të lexuar.
M. S. Libri më i hershëm që keni lexuar?
Lindita Arapi: Duhet të jenë librat e Zhyl Vernit besoj. Jack London. Por edhe ndonjë libërth i vogël fëmijërie që nuk ka gjetur vend në kujtesë
M. S.: Librin që jepni më shpesh si dhuratë?
Lindita Arapi: Varet nga personi që i dhuron. Për shembull miqve u dhuroj edhe librat, që në kohën e dhurimit tërheqin vëmendjen për një arsye të caktuar. Por dhuratë bëj edhe libra autorësh shqiptarë të përkthyer në gjuhë të tjera.
Top Channel