Pas durimit të mosmarrëveshjeve të zgjatura tregtare dhe mungesës së krahut të punës, fermerët amerikanë prisnin që më në fund këtë vit do të kishte rritje të çmimeve mes rritjes së kërkesave të brendshme dhe të jashtme për produktet e tyre. Në vend të kësaj, mbyllja e restoranteve për shkak të koronavirusit ka kontribuar në një humbje prej rreth 5 miliardë dollarësh për industrinë, dhe pothuajse brenda natës miliona derrave të grumbulluar në ferma u ra vlera. Disa fermerë kanë vendosur të vrasin derrat e vegjël sepse rënia drastike e shitjeve nënkupton se nuk do të ketë vend të mjaftueshëm për të mbajtur kafshë shtesë në kushtet kur hapësirat ekzistuese po ngushtohen gjithnjë e më shumë.
“Një prodhues e përshkroi këtë situatë për mua si një top dëbore që rrokulliset teposhtë, dhe çdo pengesë shtesë që ne do të kemi do të përcaktojë madhësinë dhe shpejtësinë me të cilën do të na godas në fund ai top bore,” tha fermeri Mike Paustian nga Ajova, i cili ka 971 hektarë tokë bujqësore me misër dhe sojë dhe shet 28,000 derra në vit. Pandemia e koronavirusit ka krijuar probleme për të gjithë prodhuesit e mishit, por fermerët që merren me shitjen e derrave janë goditur më rëndë. Ata e filluan pranverën në gjendje të tronditur financiare sepse tarifat kishin ulur në mënyrë drastike shitjet në Kinë dhe Meksikë. Shumë prej tyre janë ndeshur me vështirësi në gjetjen e punëtorëve të mjaftueshëm, pjesërisht për shkak të politikave federale të imigracionit. Pastaj kërkesat për produktet e tyre ranë në mënyrë drastike sepse Covid-19 detyroi mbylljen e restoranteve, hoteleve dhe bizneseve të tjera që blejnë rreth 25 për qind të mishit të derrit, përfshirë gati tre të katërtat e proshutës të prodhuar në Shtetet e Bashkuara.
Problemi mund të përkeqësohet pasi disa thertore gjigande që mund të përpunojnë më shumë se 20,000 derra në ditë janë detyruar të mbyllen të paktën përkohësisht për shkak të përhapjes së koronavirusit në mesin e punëtorëve të tyre. Kjo industri therrë nga 10 deri në 12 milionë derra në muaj. Ndërsa prodhuesit e shpendëve mund të ngadalësojnë prodhimin duke ndalur procesin e mbarështimit dhe blegtorët mund të mbajnë për një kohë më gjatë bagëtinë në kullota, pronarët e derrave nuk kanë alternativa të mira. Derrat rriten në stalla me hapësirë të kufizuar, dhe duhet kohë për të ndalur ciklin e mbarështimit të tyre.
“Ne jemi në krizë dhe kemi nevojë për ndërhyrje të menjëhershme të qeverisë për të mbështetur një sektor fermash të domosdoshëm për furnizimin e vendit me ushqim”, tha Howard Roth, pronar i një ferme derrash në Uazuka të Uiskonsinit dhe president i Këshillit Kombëtar të Prodhuesve të Mishit të Derrit. Organizata e tij i ka kërkuar qeverisë federale të blejë mish derri me vlerë 1 miliard dollarë në depo të ftohta që ishte planifikuar t’u shitej restoranteve, dhe më pas t’ia jap atë qendrave që ndihmojnë me ushqime të varfërit, të cilat tani po përballen me një numër të madh njerëzish që kanë humbur vendet e punës për shkak të mbylljes së ekonomisë.
Të premten, Departamenti Amerikan i Bujqësisë njoftoi se do të shpenzojë 3 miliardë dollarë për të blerë pemë dhe perime, produkte të qumështit dhe mish që më pas do të dërgohen në qendra që ofrojnë ushqime falas. Zoti Roth tha se blerja do të ndihmonte në zhbllokimin zingjirit të furnizimit me mish derri dhe do të ndihmonte në rritjen e çmimeve të të derrave. Departamenti i Bujqësisë gjithashtu tha se planifikon të ndajë një fond prej 1.6 miliard dollarësh për pagesa direkte për pronarët e fermeve të derrave. Pagesat nga ky program mund të arrijnë deri në 250,000 dollarë për individ.
Zoti Roth tha se e vlerëson këtë ndihmë por se ajo nuk ishte e mjaftueshme për të trajtuar problemet e tyre. Për shumë prodhues të mishit të derrit, pandemia e koronavirusit mund të jetë goditja e fundit, tha Nick Giordano, nënkryetar i Këshillit Kombëtar të Prodhuesve të Mishit të Derrit. “Ne po marrim mesazhe nga shumë prodhues. Ata po ndeshen me vështirësi të mëdha,” tha zoti Giordano. Përveç kërkimit të blerjeve për qendrat ushqimore falas dhe pagesat e drejtpërdrejta për prodhuesit, Këshilli Kombëtar i Prodhuesve të Mishit të Derrit po punon për ta bërë të mundur që edhe bizneset bujqësore të kenë të drejt të përfitojnë nga një program federal kredie për dëmet ekonomike nga fatkeqësitë.
Ndërsa nuk i mohojnë problemet e industrisë, disa pronarë të pavarur të fermave të derrave thonë se koronavirusi ka zbuluar se kjo industri është shumë e varur në disa korporata të mëdha ndërkombëtare që mbikëqyrin gjithçka, nga rritja e derrave deri tek përpunimi i bimëve, marketingu dhe shitjet. Chris Petersen, një fermer nga Ajova veriore, që merret me rritjen e derrave përmes metodës Berkshire (një mënyrë e vjetër e rritjes së derrave që e ka filuar në Berkshire të Anglisë në vitet 1700), në stalla individuale me një kornizë që i ngjan shkronjës A në vend të stallave të gjigande. Ai është i shqetësuar nga rënia drastike e numrit të fermerëve të pavarur që tregtonin derra në pika të afërta të blerjes, të cilat më pas i dorëzonin kafshët në qendra më të vogla përpunimi shumë më afër fermave. “Është një sistem shumë i brishtë sepse gjithçka duhet të funksionojë me saktësi,” tha Petersen.
Top Channel