Serbia bllokon kamionët e Kosovës/ Abdixhiku: Veprim i pashembullt në kohë pandemie

22/04/2020 01:25

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit në Kosovë, Lumir Abdixhiku njoftoi se autoritetet serbe kanë bllokuar kamionët e mallrave nga Kosova. Në një përgjigjje dhënë Radios Evropa e Lirë, ai tha se “Kamionët e Kosovës janë ndaluar në Serbi.

Po presim të kuptojmë arsyen, pasi ata janë bllokuar nga ora 13:00 e ditës së martë”. Ndërkohë në një postim në rrjetin social, Twitter, Abdixhiku këtë veprim të Serbisë e quajti të pashembullt gjatë pandemisë.

“ Ky është veprim çnjerëzor dhe shkelje flagrante e marrëveshjes rajonale për korridoret e gjelbra gjatë luftës kundër COVID-19, marrëveshje për të cilën kanë rënë dakord të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha mes tjerash ministri.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i cili deklaroi se “qarkullimi i mallrave në rajon, sidomos në kohën e pandemisë, duhet të funksionojë në bazë të rregullave dhe praktikave, tashmë të miratuara nga CEFTA, të njohura si ‘green lanes’, apo korridore të lira, që mundësojnë mbërritjen e mallrave në destinacion në një kohë optimal.

Organizmi udhëheqës i CEFTA-s (Marrëveshja për Tregti të Lirë) ka përgatitur një listë të mallrave që konsiderohen të domosdoshme për të gjitha vendet e prekura nga koronavirusi.

Top Channel