Drejtori i fasonerisë në Krujë, e cila është kthyer vatër për koronavirusin, Jetnor Shima është shprehur se është testuar për COVID-19 dhe ka rezultuar negativ.

Në një pronocim në emisionin “Open”, ai u tha se ishte testuar në një klinikë private, por ky detaj nuk i ka shpëtuar moderatores Eni Vasili, e cila ka theksuar se një gjë e tillë është e ndaluar në vend.

“Unë kam dalë 100% negativ, e kam bërë tamponin në spital privat. Situata dihet. Rëndësi ka shëndeti i punonjesve tanë. Ne jemi mbyllur vetë, jo me urdhër nga MSH. Për të qenë të sigurtë. Ne nuk jemi vatër. S’kam informacion zyrtar për numrin e të testuarve,”-tha ai.

Ndërsa pikërisht në këtë moment ka ndërhyrë, duke e paralajmëruar se për këtë rast do të pyeste edhe zv.ministren e Shëndetësisë.

Ju thoni që keni bërë tamponin në privat. Lejohet kjo gjë? Për këtë do pyesim edhe zv.ministren Mira Rakacolli,”-tha Vasili.

Edhe zv.ministrja Rakacolli tha se kjo nuk është e lejuar dhe duhet hetuar për rastin. Por pas ndërhyrjes së zv.ministres Shima e ndryshoi disi dëshminë, pasi tha “kam bërë analiza të përgjithshme dhe për tampon”.

Sipas një urdhëri të lëshuar nga Ministrja e Shëndetësisë, ISHP është i vetmi institucion ku mund të bëhet testimi për koronavirusit. Të gjithë klinikat e tjera private janë paralajmëruar për pasojë nëse kryejnë teste të tilla.

Shima u pyet edhe për numrin e testimeve të bëra nga ISHP-ja Krujë në fasonerinë që ai drejton, por nuk dha një përgjigje.

Sa punonjës të fasonerisë tuaj janë testuar nga ISHP-ja?- e pyeti Eni Vasili.

Nuk mund jap një përgjigje për këtë. Nuk kam informacion. Ajo i përket ISHP-së- tha Shima.

Top Channel