“Proces i improvizuar dhe kuturu”/ Basha: S’mund të jem dakord me një qeveri që vepron në kushtet e një regjimi

21/04/2020 22:52

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha foli në Open në Top Channel duke thënë nuk mund të jetë dakord me një qeveri që vepron në kushtet e një regjimi.

Pyetje: Pyetja ime ka të bëjë në fakt me lirimin e këtyre masave të cilat duket se po paralajmërohen tashmë nga qeveria. Po me këtë hapje graduale edhe pse nuk ka diçka të shkruar dhe konkrete por që paralajmërohet javë pas jave nga kryeministri për kategori të reja biznesesh që hapen apo rikulifikim të lejeve për qytetarët me automjet dhe pa automjet, me orare të ndryshme. Ju jeni parimisht dakord me këtë hapje?

Lulzim Basha: I gjithë procesi është një proces kuturu, i improvizuar, s’mund të jem kurrsesi dakord me një qeveri që vepron në kushtet e një regjimi. Sepse vetëm në një regjim fshihen të dhënat, monopolizohen të dhënat. Vetëm një regjim në kohë pandemie bërtet për arkivole dhe iu thotë qytetarëve do të shkoni për mish qeni, i terrorizon për të fshehur mungesën e masave, masat e pamjaftueshme për ti mbrojtur ata, për të mbrojtur mjekët apo për të paguar atë që ka për detyrim për ti paguar njerëzve që iu ka thënë rrini në shtëpi. Dhe në të njejtën mënyrë si I ka trajtuar këto 5 javë në të njejtën mënyrë kërkon ta shtyjë edhe më tej. Ti cfarë plani ke për ti nxjerrë njerëzit nga kjo situatë, në qoftë se iu thua do të rrini edhe 4 javë, 5 javë nëpër shtëpi? Çfarë plani ke që hap pas hapi të fillosh të hapesh duke reduktuar rrezikun e kontaminimit, të infektimit, ke ndonjë plan për këtë? Keni dëgjuar ju ndonjë plan për këtë? A I keni kërkuar kryeministrit të shpalosë ndonjë plan?

Pyetje: Jo çdo gjë mund të parashikohet.

Lulzim Basha: Askujt nuk I kemi kërkuar parashikim ne. Por të fshehësh pas fjalësh është një art bajat në Shqipërinë e qeverisë së Edi Ramës. Ka 7 vjet që fshihet pas fjalëve. Kush i ka kërkuar që të parashikojë? I kemi kërkuar një plan dhe ka folur për një plan A, B dhe C. Kush është plani A? Kush është plani B? Kush është plani C? Kush e di?! E dini ju?

Pyetje: Jo, nuk ka asgjë publike!

Lulzim Basha: Askush nuk e di. E pra, kjo është e pafalshme, kjo ndodh vetëm në regjime. Kjo ndodh vetëm në vende ku të dhënat në vend që të bëhen transparente dhe të ndahen me publikun, monopolizohen, manipulohen në mënyrë që të justifikojnë dështimet dhe mospërmbushjen e detyrimeve që qeveria ka. Se nuk kanë vetëm qytetarët detyrime në rast pandemie, ka edhe qeveria. Për çdo propozim qeveria ka detyrim me ligjet e Shqipërisë t’i përgjigjet financiarisht. Pra, absolutisht, nëse ka një plan ky duhet bërë publikë. Në mungesë të një plani ne kemi propozuar një plan. Ne kemi propozuar një plan dhe ia kam propozuar edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, një plan me 5 pika me anë të së cilës të shtrohet rruga për normalizimin e situatës sa është e mundur. Sepse, siç e thashë, askush nuk mund të parashikojë asgjë.

Top Channel