Vjosa Osmani: Të gjithë i dinë krimet e Serbisë në Kosovë, pavarësisht ndihmës që mund të ketë ofruar

20/04/2020 12:46

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë sot pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti lidhur me pandeminë COVID-19 se jo vetëm Kosova, por e gjithë bota i ka të qarta krimet që i ka kryer Serbia në Kosovë, pavarësisht ndihmës që Serbia mund të ketë ofruar në këtë kohë të pandemisë.

Osmani tha se lidhur me situatën nga pandemia COVID-19 dhe me testet kanë marrë informata nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Unë besoj që jo vetëm ne në Kosovë, por e gjithë bota e ka të qartë se cilat janë krimet që i ka kryer Serbia në Kosovë. Ato kanë ndodhur para syve të botës dhe i kanë dëshmu gjykatat ndërkombëtare. Serbia në këtë kohë të pandemisë edhe mund të ketë dërguar ndihma por nuk e shlyen të kaluarën e afërt që e kemi përjetuar”, tha Osmani.

Sipas saj, edhe si Kuvend kur kanë kërkuar ndihmë nga shtetet mike për përballjen me COVID-19, iu është thënë të kërkojnë mjetet financiare, por jo edhe teste e aparatura pasi edhe vendet në zhvillim kanë hasur në vështirësi në sigurimin e tyre,

“…Kërkesat e Kosovës që të ketë ndihmë nga shtetet e ndryshme për teste apo aparatura nuk kanë mundur të plotësohen pasi edhe shtetet në zhvillim po përballen me mungesë të tillë…”, tha ajo, raporton Telegrafi.

Sipas saj, ministri Vitia i ka informuar në detaje lidhur me situatën me teste.

“Ne kemi kërkuar sot informata nga ministri i shëndetësisë për testet. Ai na ka informuar në detaje për disa vështirësi që i kanë hasur meqenëse të gjitha kërkesat nga të gjitha shtetet që kanë shkuar përnjëherë kanë qenë shumëfish më të mëdha se numri i testeve që kanë mundur të prodhojnë prodhuesit e deritanishëm. Tash përderisa ka shtete tjera që kanë kompani që prodhojnë teste, Kosova lëre më që s’ka kapacitete të tilla, por është trashëguar një sistem shëndetësor jo i financuar mirë dhe gati i shkatërruar. Pra me qëllim të mos politizohen çështjet që kanë të bëjnë me shëndetin qytetar për mua ka qenë me rëndësi të marrë informata sa do të jetë Kosova e furnizuar me teste dhe të mos përballemi me situata që qytetarët mund të jetë infektuar dhe nuk testohen”, tha Osmani.

Sipas saj, ministri Vitia i ka informuar se ka një ndihmë të dakorduar nga shteti i Luksemburgut dhe i Katarit që lidhet drejtpërdrejtë me teste dhe në ndërkohë që qeveria e Kosovës ka porositur 13.500 teste tjera për të cilat ka kaluar procedurat dhe beson që shumë shpejtë do të vijnë.

Top Channel