Thaçi paralajmëron: Këtë javë pritet të ndërmerren hapat drejt formimit të Qeverisë së re

20/04/2020 18:06

Presidenti Hashim Thaçi paralajmëroi se këtë javë do të kalojë në veprim për të mundësuar krijimin e qeverisë së re të Kosovës.

Deklaratën e tij e shpërndau në Twitter i ngarkuari amerikan për dialogun, Richard Grenell. Por përmes të njëjtit rrjet social, Grenell paralajmëroi se tarifa dhe reciprociteti ndaj Serbisë mund të hiqet këtë javë dhe sapo të ndodhe kjo, dialogu Kosovë-Serbi do të fillojë seriozisht.Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti e hoqi në 1 prill tarifën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, por, vendosi masë reciprociteti tregtar me Beogradin. Grenell me postimin e tij iu rikthye asaj teme, ndërsa shpërndau edhe postimin e Thacit.

“Javën tjetër unë do të ndërmarr hapat e fundit kushtetues për të mundësuar formimin e një qeverie të re me një legjitimitet të plotë nga parlamenti, e aftë për të luftuar COVID-19 dhe për t’i shërbyer popullit. Tarifat dhe reciprociteti duhet të bien për të forcuar mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së për Kosovën”, shkruante Thaci.

Ky i fundit tre herë radhazi i kërkoi liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti, që të dërgoj emrin e të mandatuarit të ri për kryeministër pas mocionit të rrëzimit të qeverisë në 25 mars. Kurti nuk e ka dërguar emrin akoma. Në një letër që ai i dërgoi presidentit, sqaronte se “nuk e refuzon kërkesën e tij, por nuk e ka te qartë standardin e dyfishtë që siç tha, “Ju dhe partitë politike po tentoni ta impononi në rrugë jokushtetuese, pas këtij mocioni mosbesimi i cili nuk dallon në aspekt formal dhe material nga praktikat e mëhershme”.

Top Channel