Top Talk: Reagon biznesi. Paketa financiare e qeverisë pozitive, por e pamjaftueshme. Ja propozimet e reja

14/04/2020 21:23

Në studion e emisionit “Top Talk”, drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishin të ftuar me anë të një lidhje “Skype”, kryetari i Biznes Albania, Luan Bregasi dhe kryetari i Industrialistëve Shqiptar Alban Zusi.

Gjatë fjalës së tij Luan Bregasi e përgëzoi paketën e re të ngritur nga qeveria dhe sipas tij ajo i vjen në ndihmë biznesit. Pra kërkesat bazike që ato kishin, ndryshe nga paketa e parë që thuajse i kishte lënë pak mënjanë, me paketën e dytë janë përmirësuar.

“E para paketa duhet thënë që është më optimiste se sa paketa e parë. Paketa e parë ishte një paketë pothuajse me karakter social. Ndërsa kjo, është një paketë që i vjen në ndihmë edhe bizneseve, ekonomisë dhe bizneseve të mëdha. I kam bërë një kërkesë nëpërmjet ekranit tuaj që në paketën e parë garancia sovrane, që iu ofrua biznesit të madh, ishte jashtë konceptit që ka sipërmarrja,  për të marrë një kredi me garanci sovrane. E para ne kërkuam të hapej fasha e garancisë sovrane dhe kjo u bë. Pra tashmë ne nuk mund të marrim kredi vetëm për paga, por mund të marrim kredi edhe për kapital qarkullues, edhe për të shlyer fatura dhe furnitorë të ndryshëm. Është një gjë shumë pozitive kjo. E dyta ne kërkuam që intereset e kredisë që merret nga interes sovrane të mos i paguante biznesi, por shteti, si një gjest për të treguar që një gjë po merr përsipër. Edhe kjo u bë. Edhe për vlerën, 100 milionë euro na u dukën pak, u rrit vlera u bë kufiri prej 150 milionë euro. U shtye dhe një taksë siç ishte tatim-fitimi, që është krejt normale, për fundin e 31 dhjetorit 2020. Po ashtu në këtë paketë janë parashikuar edhe paga për turizmin dhe biznesin e madh, me vlerë 40 mijë lekë të reja. Është një gjest i mirë nga qeveria, mori përsipër për të përballuar një pjesë të kostove që ka shkaktuar sipërmarrjeve private me rastin e bllokimit nga COVID-19. Shoqata Biznes Albania e ka pritur me gëzim këtë gjë. Por sigurisht ne krahasuar me vendet e rajonit, prap kontributi dhe ndihma e qeverisë është modeste”, u shpreh Bregasi.

Po ashtu edhe Alban Zusi, tha se paketa e re e qeverisë është e mirëpritur nga biznesi dhe plotësoi trekëndëshin e famshëm, anën sociale, tregun dhe si edhe kredia që i ofron biznesit. Por, sipas tij biznesi ende duhet të ndihmohet dhe për këtë ai ofron disa sugjerime.

“Burimet të çdolloj natyre dhe burimet financiare, janë të pa mjaftueshme, edhe në Amerikë burimet janë të pamjaftueshme. Kështu që sado që të japim  gjithmonë do të kishim për diçka më tepër. Përsëri krahasimi me ekonominë Serbe, për më tepër nga vijmë ne, se po vijmë nga një situatë pas tërmetit, ekonomia serbe është një ekonomi më e gjallë dhe dinamike se sa e jona. Gjithsesi, unë bashkohem me Luanin që kjo paketë jep një lloj oksigjeni, përpiqet të prekë të tre këndet e trekëndëshit të famshëm. Pra, përpiqet të prekë edhe anën sociale për sa kohë jep atë 40 mijë lekëshin për rreth 170 mijë punonjës. Përpiqet të prekë tregun, ta mbajë tregun në një tonusi. Sepse këto 70 milionë dollar të shpërndara në 170 mijë duar padiskutim që do të hyjnë në treg të gjitha dhe do t’i japin një lloj oksigjeni tregut. Përpiqet pjesërisht më pas të prekë edhe pikën tjetër të trekëndëshit bizneset, duke i dhënë mundësi për t’i dhënë kredi me kushte të mira, është shumë e rëndësishme nuk duhet mohuar. Por duhet të kemi parasysh edhe diçka tjetër, bizneset kur punojnë me 70% të kapacitetit kanë disa kosto fikse që nuk ka kredi që ua zgjidh atë problem. Kështu që nëse ne duam që ta mbajmë edhe biznesin në këmbë dhe për të mos e lëmë të degradojë, duhet parë edhe ky lloj askpekti. Pra, me të vërtetë po i japim rrogat për punëtorët që janë larguar nga puna, vërtetë po i japim një injeksion tregut, janë masa shumë të mira, të mirëpritura duhet vlerësuar. Po i japim edhe mundësi bizneseve që të marrin një kredi. Por duhet të kemi parasysh që jo gjithmonë kredia është zgjedhjet e problemeve. Një ndër gjërat që unë kam thënë edhe në daljen tjetër në emisionin tuaj ka qenë. Bizneset sot kanë një faturë kreditues, veçanërisht bizneset eksportuese dhe bizneset fasone, sepse për këto po flasim kryesisht, sepse këto janë më të prekurit dhe mund të japin impakt në ekonomi. Kanë një faturë shumë të lartë të TVSH-së të kredituar. Atëherë, minimumi që mund të bëhet për bizneset eksportuese TVSH-ja e kredituar të mos t’i rikthehet menjëherë, por ama të shkojë në kompensim në pjesën e detyrimeve që ato kanë mujore ndaj shtetit. Kjo mund të ishte një nga masat, që gjithsesi lehtëson disi pjesën, është dhe e drejtë, është legjitime, pra kompensimi i detyrimeve korrente me detyrimet kreditore. Por me të njëjtën kohë edhe qeveria nuk duhet të ishte para detyrimit që të paguante të gjithë këtë detyrim menjëherë, kreditimin e TVSH-së, por të paguante vetëm atë pjesë që biznesi duhet të paguaj, taksat. Pra, qeveria nuk merr atë që duhet ta jepte. Por biznesit kjo do t’i shërbente si oksigjen. E ripërsëris me të vërtetë mund të ketë disa biznese duke punuar me 50% të kapacitetit me 30% të kapacitetit. Por ato kanë shpenzime fikse të barabarta me 100% e kapacitetit, sepse ato janë projektuar të prodhojnë 1 mijë njësi dhe jo 300 njësi dhe kostot e tyre pjesëtohen për këto 1 mijë njësi. Këtë qeveria e ka të vështirë ta adresojë, dhe kjo ndoshta krijon atë mos besimin e qeverisë për të mbështetur bizneset. Sepse mund të duket sikur bizneset po abuzojnë duke kërkuar mbështetje dhe në fakt nuk është e vërtetë”, tha Alban Zusi.

Ndërkaq, edhe Bregasi vijoi duke kërkuar akoma asistimin e qeverisë në drejtim të diznesit në këtë situatë të vështirë që ndodhet ky sektor. Ai sugjeron që aksiza (detyrimet ndaj shtetit që paguajnë sipërmarrjet prodhuese), duhet paguar në momentin që prodhimi të shitet mas një muaji dhe jo në momentin që sapo është grumbulluar.

“Shoqatat vetë kanë kërkesat e tyre specifike, por në gjëra substanciale ne jemi në konvergjencë të plotë me të gjitha shoqatat. Por duke iu përgjigjur pyetjes tuaj. Pyetja është a mjafton kjo paketë dhe a ka bërë bzinesi kërkesa të tjera, të cilat mund ta ndihmojnë më shumë ekonominë. Ka dy skenar sot, ka skenar që thotë ekonomia të shkoj në zero dhe kur të shkoj në zero ne të fillojmë ringritjen. Por a dhe një skenar tjetër, të mos e lëmë ekonominë të shkoj në zero që dhe ringritja të mos të jetë aq e vështirë sa do të ishim në skenarin e parë. Unë do të preferoja ekonominë e dytë, që ekonomia të mos shkoj në zero, sepse më pas ringritja do të ishte shumë e vështirë. Do të ishte vdekjeprurëse, jo vetëm për ekonominë shqiptare, por edhe për të gjithë rajonin e më gjerë. Kështu që në këtë këndvështrim, po e mirëkuptojmë për momentin vështirësia që ka qeveria jonë. Megjithëse për mua ka dhe rrugë dhe rezerva të jashtëzakonshme pot ë kishte më shumë më pak guxim nga ana e qeverisë. Ne nuk duam të përkëdhelemi, realisht pjesa më e madhe e biznesit është në vështirësi. Prodhon një muaj me ato të ardhurat e një muaji shlyen detyrimet tatimore, doganore, paguan pagat kreditë e të tjerat. Në momentin që nuk punon një muaj të gjitha ndërmarrjet në Shqipëri janë totalisht në vështirësi. Atëherë çfarë kërkojmë ne. Ne nuk kërkojmë që të mos paguajmë taksa. Por në rast se ne nuk punojmë, nuk kemi se ku t’i gjejmë këto lekë për të paguar taksat. Atëherë shteti nuk i ka mundësitë që të na ndihmojë ne të na japi lekë siç kanë dhënë vendet e rajonit, siç e thatë dhe juve. Disa taksa, për shembull marr industrinë e prodhimit, në qoftë se aksiza, duhet të paraparguhet në momentin që mbushet prodhimi, ne kemi kërkuar të shtyhet pasi prodhimi të shitet, pas një muaji. Lekë s’kemi, të punojmë s’kemi, të prodhojmë s’kemi, atëherë duhet të paguajmë aksizën që të prodhojmë. Pra, janë disa lëvizje që me një kujdes të madh, dhe një dëshirë dhe vullnet nga qeveria Shqiptare, në konsultë të plotë me biznesin. Të shikojë mundësinë që të shtyje pak disa gjëra me qëllim që të mos e vërë biznesin nën presionin e mundësisë për të punuar. Ne sepse s’kemi merremi me biznes, sepse të kishim s’merreshim me biznes fare.  Biznesi një udhëtim, është një sipërmarrje. Historia e biznesit shqiptar është shumë e re, 20, 30 vjeçare, ka biznese shumë të reja 5 vjeçare. Janë akoma në pelena. Të gjitha bizneset e kanë mbështetur, iniciativat e tyre të guximshme mbi bazën e kredive që kanë marrë nëpër banka. Historia në Shqipëri ka qenë që kreditë kanë qenë me interesa të larta. Taksat pavarësisht përpjekjeve që bëhen janë të larta. Çmimet e kostove që përbëjnë lëndën e parë në Shqipëri janë të larta, energjia, uji, janë gati dyfishin e çmimeve që ka rajoni. Ndërmarrjet në Shqipëri i kanë ulur aftësitë konkurruese për shkak të kostove të larta që kanë produktet nga eksporti, që i kanë kostot e prodhimit më të ulta sesa ne. Ne e kemi nisur këtë sipërmarrje shumë të guximshme, thuhet shumë mirë që sipërmarrësit janë njerëz të çmendur dhe me të vërtetë kështu janë. Edhe kjo nuk do të thotë që i kemi gjërat në terezi”, tha Luan Bregasi.

Sakaq, nga krahu tjetër Alban Zusi e shikon të nevojshme që paketa e re që sapo u miratua nga qeveria të zbatohet menjëherë, pasi kjo do ta mbronte biznesin. Po ashtu ai e shikon si abuzim TVSH-në që paguajnë sektori i bujqësisë për prodhimet që ato tregtojnë, e cila është 34%. Ai kërkoi që të paktën, duke iu referuar situatës kjo përqindje të jetë më e ulët. Gjithashtu Zusi, sugjeroi që me anë të medias të promovohen produktet shqiptare dhe të gjithë konsumatorët e vendit të blenë të shpenzojnë sa më shumë në blerjen e këtyre prodhimeve.

“Meraku që unë do të kisha është më shumë se sa masa e mbështetjes sesa sasia më rëndësi ka shpejtësia. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të veprohet shpejt. Paketa e parë mori gati tre javë për t’u bërë efektive. Kjo paketë duhet që të paktën në fund të javës, të dalin të gjitha VKM-të, të kenë dalë udhëzimet, rregulloret dhe mundësisht të hënën të fillojnë të shpërndahen ato para. Ato para duhet të hyjnë shpejt. Në qoftë se u deklarua dje dhe paratë do të jepen mas dy tre javësh atëherë do të kemi dëme kosto. Më shumë se sa sasia për mua vlen shpejtësia. Së dyti ajo që duhet bërë është kjo që sapo thash dhe është e mundshme për t’u bërë është, kjo që sapo thash çështja e rimbusimit të TVSH-së dhe kombesimt të detyrimeve me kreditimet. Në momentin që bëhen kontrollet përsëri organet tatimore të bëjnë punën e tyre. Por nuk mund t’i kërkosh dikujt që duhet të marrë 100 mijë euro nga shteti t’i thuash ti do të m’i paguash këto 10 mijë euro 20 mijë euro taksat e këtij muaji. Së dyti, diferenca e TVSH-së së produkteve bujqësore po vazhdon të kthehet në një problem dhe jo në një problem për fshatarësinë, jo vetëm problem për biznesin, por edhe qytetarët. Një ndër arsyet e rritjes së çmimeve të produkteve bujqësore, përveç konjekturës ndërkombëtare që fatmirësisht është e favorshme dhe kjo është lajm i mirë. Por një ndër arsyet e rritjes së çmimeve e produkteve bujqësore është pikërisht 34 % TVSH që duhet paguar mbi këto lloj produktesh. Në këto kushte të mbash një taksë e cila dhe në kushtet normale ne e kemi kundërshtuar sepse ka qenë jashtëzakonisht e rëndë, ta mbash dhe në kushtet e një situatës së jashtëzakonshme. Për mua po ekzagjerohet, edhe kjo duhet zgjidhur. Së treti, është ajo që ne e kemi thënë duhet të fillojmë menjëherë, siç kemi një plan shumë të mirë të promovimit të qëndruarit në shtëpi dhe të zbatimit të rregullave higjeno-sanitare. Duhet të fillojë menjëherë promovimi pranë mediave i produkteve shqiptare, jo thjesht i produkteve bujqësore por i çdo lloj produkti tjetër që është në treg. Për të bërë të mundur kështu që çdo lloj paraje e  konsumatorit shqiptar të mbetet brenda kufijve të Shqipërisë”, tha Zusi.

Top Channel