Qeveria afgane ka liruar nga burgu 100 talibanë, njoftoi Këshilli për Siguri Kombëtare i Afganistanit.
Ky këshill tha se të burgosurit janë liruar për një varg arsyesh, siç është gjendja shëndetësore, mosha dhe kohëzgjatja e vuajtjes së dënimit.
Që prej 8 prillit, Qeveria afgane ka liruar në total 300 të burgosur talibanë.
Ndërkaq, një zëdhënës i talibanëve ka njoftuar se grupi militant do të lirojë 20 të burgosur dhe do t’i dorëzojë ata te Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në Kandahar.
“Sot, 20 të burgosur nga administrata e Kabulit do të lirohen”, deklaroi zëdhënësi i talibanëve, Suhail Shaheen.
Shtetet e Bashkuara dhe talibanët më 29 shkurt nënshkruan një marrëveshje, ku bëhet thirrje që Qeveria e Afganistanit të lirojë rreth 5 mijë luftëtarë talibanë, si masë për të ndërtuar besimin mes palëve, para bisedimeve formale të paqes, që kanë për qëllim dhënien fund të konfliktit 18-vjeçar.
Talibanët, në anën tjetër, janë zotuar se do të lirojnë 1 mijë trupa të Qeverisë afgane dhe punëtorë civilë.
Top Channel