Kryeministri italian, Giuseppe Conte, në një intervistë për BBC, ka paralajmëruar se BE rrezikon kolapsin si projekt në krizën e koronavirusit.

Ai tha se BE duhet të veprojë në mënyrën e duhur dhe e koordinuar për të ndihmuar vendet më të goditura. Blloku duhet të ngrihet në nivelin e sfidës pasi përballë kemi testin më të madh që nga lufta e dytë botërore. Ai foli ndërsa Italia dhe disa vende të tjera të BE përpiqen të shtyjnë anëtarët e tjerë të bllokut, drejt të ashtuquajturve koronabonde, një ndarje e borxhit që të gjitha vendet e BE do të ndihmonin të paguhej. Holanda, në veçanti e kundërshton idenë.

Por, për kryeministrin italian, liderët e Evropës përballen tani me një takim me historinë, që nuk mund ta humbasin. Nëse nuk mbërthehet kjo mundësi, për ti dhënë jetë projektit evropian, rreziku i dështimit është real. Shkalla e infektimeve në Itali po ngadalësohet dhe shifrat e fundit tregojnë se rastet pozitive rriten në krahasim me një ditë më parë me vetëm 1 për qind. Kjo rritje, dy javët e shkuara ishte 7 për qind.

Edhe bilanci i viktimave po ashtu po shënon rënie, nga 919 që ishte disa ditë më parë, në 542 në 24 orët e shkuara. Por Konte paralajmëron vendin të mos ulë vigjilencën dhe thotë se izolimi në shkallë kombëtare, i vendosur më 9 mars, mund të zbutet vetëm në mënyrë graduale. Fillimisht sipas tij do të lehtësohen disa sektorë të ekonomisë që të mund të rifillojnë aktivitetin. Nëse ekspertët e konfirmojnë, mund të fillojë një zbutje e disa masave, nga fundi i këtij muaji.

Conte ka marrë jo pak lëvdata për mënyrën se si qeveria e ka menaxhuar krizën me mbështetjen për të që është rritur deri në 71 për qind. Por kritikët thonë se kufizimet që u vendosën fillimisht ishin të ngadalta dhe të mangëta. Fillimisht ai i rezistoi kërkesave të disa politikanëve në lombardi për vendosjen e masave më të ashpra. Por kryeministri sot mbron veprimet e qeverisë së tij: nëse do të kthehesha pas, do të bëja ekzaktësisht të njëjtën gjë – thotë ai.

“Ne kemi një sistem krejtësisht të ndryshëm nga Kina. Për ne, kufizimi i ashpër i lirive të garantuara në kushtetutë, ishte një vendim shumë kritik që duhej ta mendonim me kujdes. Nëse do të kisha sugjeruar izolimin apo kufizimin e të drejtave kushtetuese që në fillim, kur u shfaqën vatrat e para, njerëzit do të më kishin marrë për të çmendur”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA