Holanda cakton datën për rinisjen e Eredivisies, zbulohet programi

08/04/2020 11:01

Holanda është vendi i parë i madh europian që vendos një datë zyrtare për të rinisur kampionatin. Federata Mbretërore e Futbollit Holandez (KNVB) zhvilloi të martën një takim “online” me klubet, duke njoftuar se ka shënuar 19 qershorin për kthimin e Eredivisies, sigurisht për sa kohë që qeveria do ta lejojë.

Organi më i lartë i futbollit holandez pret që ta konfirmojë këtë datë brenda në dy javësh, në momentin kur qeveria e drejtuar nga Mark Rutte të njoftojë nëse masat kundër COVID-19 mund të zbuten.

“Ne do të luajmë futboll vetëm nëse do të jemi të sigurt dhe nëse Instituti i Shëndetit Publik pajtohet”, – shkruhet në deklaratën e Federatës Holandeze.

Qëndrimi i institucionit më të lartë të futbollit holandez bie ndesh, në fakt, me dëshirën e klubeve si Ajax, PSV Eindhoven dhe AZ Alkmaar, që kishin propozuar përfudnimin e sezonit .

Në bazë të programit të caktuar, futbollistët do të stërviten individualisht deri më 15 maj, në grupe të vogla një javë më vonë dhe e gjithë skuadra nga 29 maji.

Nëse qeveria e autorizon rifillimin e kampionatit, federata do të lejojë që të zhvillohen fillimisht ndeshjet miqësore gjatë dy javëve të para të qershorit, me qëllim që lojtarët të rimarrin ritmin e garës. Tetë javët e mbetura të Eredivisie (nëntë në rastin e disa klubeve), do të luhen midis 19 qershorit dhe 31 korrikut, kështu që disa ndeshje do të duhet të zhvilloheshin gjatë mesjavës.

Sezoni 2020/21 do të fillojë në javën e tretë të gushtit, rreth 20 ditë më vonë se zakonisht, kështu që federata u ka propozuar klubeve të zhvillojnë ndeshje edhe gjatë Krishtlindjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA