1 miliard euro dëme, La Liga mendon rinisjen e lojës

07/04/2020 17:39

Kampionati spanjoll i futbollit mund të rinisë në më pak se 2 muaj, pavarësisht emergjencës që po kalon vendi iberik nga pandemia, me dhjetëra viktima çdo ditë.

Impakti ekonomik i rëndë mbi klubet elitare në La liga, i shtohet qindra problemeve të tjera të krijuara nga emergjenca, e për këtë në hierarkinë drejtuese të federatës, po mendojnë zgjidhje të afërta.

Nëse nuk do të përfundojë sezoni aktual por do të anulohet gjithçka, humbjet totale do të kapin një shifër marramendëse, plot 1 miliard Euro. Nëse ndeshjet do të zhvillohen sipas një agjendë të përcaktuar nga federata por pa praninë e tifozëve, humbjet do të limitohen në 350 milionë Euro, por fatura negative nuk do të rikuperohet edhe nëse luhet me publik, pasi 150 milionë janë tashmë të djegura.

Në diskutimin për të drejtat televizive, çdo klub i la Ligës ka marrë 90% të shumës totale por nëse nuk do të luajë, do të humbasë pjesën tjetër dhe do të detyrohet të kthejë 18%, një manovër që mund të çojë në falimentim më të dobëtit.

Ndërkohë po mendohet rinisja e lojës në 29 Maj ashtu si në kampionatet kryesore kontinentale, dhe alternativa e vetme duket 6 qershori. por në federatë shpresojnë se kurba që tregon numrin e vdekjeve do të bjerë, e kështu do të rinisë jeta normale.

Top Channel