Vijon shpërndarja e ndihmave për familjet e prekura nga tërmeti në Ndroq

03/04/2020 14:37

Bashkia e Tiranës vazhdon të trokasë në dyert e familjeve në nevojë, për të qenë pranë tyre në këto ditë të vështira e për t’i ndihmuar ata me ushqime. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte sot në familjet e Nazim Currit, Bardhyl Trimit dhe Muhamed Trimit në Ndroq, ku tërmeti i 26 nëntorit ua nxorri të pabanueshme banesat.

Ai i siguroi ata se ndihma institucionale, qoftë për ushqime apo ilaçe, nuk do të mungojë. “Do vazhdojmë me këtë skemë, për çdo nevojë në ushqime, ilaçe, apo nevoja të tjera, si çadra, kontenierë. Kur funksionon edhe posta, edhe ushtria, edhe pastrimi, edhe policia, tregon se në këto vite kemi ftilluar një shtet serioz”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku vlerësoi edhe nismën e ndërmarrë nga kryeministri Rama për çështjen e pagesave të qirave, që adreson një shqetësim të mijëra familjeve e bizneseve. “Kryeministri bëri diçka të mirë dje për punën e qirave, duke dhënë mundësi të shtyhen afatet dhe të paguhen me këste ndër muaj. I jep frymëmarrje biznesit të vogël apo atyre që mund të kenë humbur një vend pune dhe terezinë e familjes nga epidemia. Pjesa më e madhe e halleve të njerëzve është adresuar, pra ushqimi, qiraja, heqja e kamatë vonesave”, deklaroi ai.

Veliaj theksoi se menjëherë pas kapërcimit të kësaj situate, do të nisë menjëherë puna për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti. “Ne kishim filluar, madje edhe me kryeministrin ishim në disa shtëpi në Ndroq, por u bllokuam për shkk të situatës. Stafin e inxhinierëve dhe urbanistëve e çuam për të punuar nga shtëpia që të bëjnë dosjet, po sapo të mbarojë kjo, do të fillojmë me shtëpitë”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se pavarësisht kritikave të atyre që komentojnë për çdo gjë, puna nuk do të ndalet për të ndihmuar gjithkënd që ka nevojë.

“U them më shani sa të doni, rëndësi ka të bëhet puna. U them edhe këtyre që japin mend, sepse u bënë të gjithë inxhinierë. Tani janë bërë të gjithë doktorë. Lëreni doktorin të bëhet doktor, lëreni inxhinierin të bëhet inxhinier, kryetarin-kryetar, kryeministrin-kryeministër, aministratorin-administrator sepse kur bën secili detyrën e vet, si profesionist, ecën përpara vendi”, tha Veliaj.

Një nga prioritet në punën e Bashkisë Tiranë këto ditë është ndihma ndaj familjeve të prekura nga tërmeti, ndërkohë që në të 27 njësitë administrative vijon shpërndarja e pakove ushqimore për familjet në nevojë, të moshuarit e vetmuar dhe personat me aftësi të kufizuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA