Dy viktima të reja nga koronavirusi janë regjistruar në Maqedoninë e Veriut.Viktimat janë dy burra, njëri i moshës 68 vjeç nga Tetova dhe tjetri një 70-vjeçar nga Kumanova.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, ata ishin të sëmurë kronikë.Me dy viktimat e reja, numri i të vdekurve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 13.
Ndërkohë, janë regjistruar edhe 46 raste të reja të të infektuarve, duke e çuar në 430 numrin e përgjithshëm të personave me COVID-19 – sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Prej tyre, 11 janë punonjës shëndetësorë në spitalin e Kumanovës.Tre nga të infektuarit janë nga reparti i rentgenit, tre nga reparti i kirurgjisë, një infermiere nga reparti i gjinekologjisë, një ndihmës dhe një mjek specializant nga reparti infektiv.
Drejtorja e spitalit, Snezhana Zaharieva, ka thënë se për gjendjen e krijuar është njoftuar Ministria Shëndetësisë, e cila pritet të dalë me masa, në ndihmë të spitalit.
Numri më i madh i të inektuarve me koronavirus është në Shkup, gjithsej 208 raste, kurse nga qytetet tjera me numrin më të madh janë: Kumanova (85), Dibra (49) dhe Prilepi (22).
Top Channel