Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas konsultimeve që ka pasur më liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, të enjten i ka kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje, që të propozojë një kandidat për formimin e Qeverisë.
Në një letër që i ka dërguar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili njëherësh është edhe kryeministër në detyrë i Kosovës, Thaçi kërkon që ky subjekt politik të propozojë kandidatin e ri për formimin e Qeverisë.
“Ju lutem, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, propozoni kandidatin e ri, të cilin do të mandatoj për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën, të cilën e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, nga zyra e presidentit.
Në letër thuhet se Thaçi “është bazuar në nenin 95 të Kushtetutës, Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 1 korrik 2014 në Vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve të Parakohshme të mbajtura më 6 tetor 2019, ku Lëvizja Vetëvendosje doli subjekti më i votuar”.
Pas votimit të mocionit të mosbesimit, më 25 mars, nga ana e shumicës së deputetëve të Kuvendit, Kosova po qeveriset nga një qeveri në detyrë.
Mocioni i mosbesimit ndaj të Qeverisë Kurti ishte iniciuar nga partia partnere e Lëvizjes Vetëvendosje në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe u mbështet edhe nga partitë opozitare.
Top Channel