Coronavirusi dhe futbolli/ Ulje pagash për të zbutur humbjet

01/04/2020 11:40

Coronavirusi ka paralizuar të gjithë botën sportive ku padyshim përfshihet edhe futbolli.

Në këtë disiplinë parashikohen edhe humbje të mëdha financiare madje frika është që ajo të shkojë drejt kolapsit pasi klubet një pjesë të mirë të të ardhurave i sigurojnë nga biletat, të drejtat televizive, sponsorët, marketingu.

Në kontinentin evropian shumë prej klubeve të rëndësishme po mendojnë për marrjen e masave për të zbutur këtë impakt negativ dhe një prej këtyre masave është reduktimi i pagave të yjeve të futbollit.

Klubi i parë që vendosi zyrtarisht uljen e kësaj page ishte Juventusi me një masë prej 30%. Te Bardhezinjtë nuk ishte e vështirë arritja e marrëveshjes për marrjen e kësaj mase, teksa ishte vetë kapiteni Chiellini që bëri një apel të tillë. shembullin e Juventusit duket se do ta ndjekë edhe Interi. Burime pranë klubit zikaltër kanë bërë të ditur për agjencinë e lajmeve ANSA se stafi teknik dhe lojtarët janë gati për të pranuar uljen e pagës së tyre.

Në Spanjë, Barcelona komunikoi arritjen e marrëveshjes me futbollistet për reduktimin e pagës me 70% gjatë periudhës së coronavirusit. Për më tepër lojtarët e klubit katalanas theksuan se do të japin kontributin e tyre në mënyrë që punonjësit e tjerë të klubit të marrin të plotë pagën e tyre. Shembullin e katalanasve duket se kanë vendosur ta ndjekin edhe rivalët e Realit të Madridit lajm që u bë publik nga e përditshmja ‘El Pais’.

Në Gjermani, klube si Bayerni e Borussia Dortmund kanë vendosur që të reduktojnë pagat e futbollistëve me 20% gjatë kësaj periudhe të vështirë, ndërkohë që në Francë media transalpine ka folur për mundësinë e një reduktimi të pagave në klube me 50%.. Në Angli, skuadrat e para që kanë vendosur të ndërmarrin një masë janë Tottenhami e Newcastle. Por në rastin e këtyre dy klubeve për momentin bëhet fjalë për reduktimin e pagave të punonjësve të tjerë të tyre duke përjashtuar futbollistët e skuadrave të para respektive nga kjo masë.

Top Channel