“E njoh solidaritetin e popullit shqiptar”/ Ndihmë Italisë me mjekë, Montella i shkruan letër Ramës

31/03/2020 13:03

Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Roberto Montella, në një letër dërguar kryeministrit Edi Rama shpreh mirënjohjen e tij sa i takon dërgimit në Itali të 30 mjekëve dhe infermierëve.

Në nisje të letrës, Montella shkruan:

“I dashur kryeministër Rama, i dashur Edi. Dua ta filloj këtë letër duke ju shkruar në italisht dhe duke folur si një qytetar i thjeshtë italian për të shprehur një falënderim emocional dhe një gjest respekti të thellë për popullin shqiptar dhe për ju personalisht, jo vetëm për dërgimin e ndihmës mjekësore në Itali, por edhe për fjalët me të cilat i shoqëruat.”

Më tej letra vazhdon:

“Dhe një mësim morali të lartë dhe një demonstrim udhëheqjeje që jam i sigurt se do t’i bëjë shumë njerëz në Europë të mendojnë. “Ushtria juaj e vogël e bardhë” i tregoi botës madhësinë e fjalës solidaritet, dhe shpresoj se mund të jetë një shembull për vendet e tjera. Shumë faleminderit! Faleminderit shumë! Unë dëshiroj të shfrytëzoj këtë mundësi edhe t’ju shkruaj në cilësinë e Kryetarit të Përgjithshëm të OSBE-së për t’ju përcjellë mbështetjen më të fortë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në këto periudha të vështira dhe t’ju ftoj të përdorni plotësisht platformën e OSBE-së për të adresuar luftën sfiduese kundër pandemisë COVID-19 me të cilën po përballemi. Në një kohë kur është i nevojshëm bashkëpunimi ndërkombëtar më shumë se kurrë, ne po rrezikojmë seriozisht ta shohim të zvogëlohet dhe ne kemi një detyrë të përbashkët të mos e lejojmë. Problemet globale kërkojnë përgjigje globale dhe për këtë kemi nevojë për institucione shumëpalëshe të forta. OSBE-ja mund të shërbejë si një forum i shkëlqyeshëm për të shkëmbyer praktikat më të mira, për të kanalizuar kërkesat për ndihmë midis shteteve dhe për të nxitur koordinimin. Byroja e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së është takuar perms një videokonference javën e kaluar dhe është e gatshme të japë kontributin e saj. Në këtë drejtim, ne jemi duke punuar për një paketë kundër COVID-it të Asamblesë Parlamentare të OSBE, e cila do të përbëhet nga disa projekte që synojnë të sigurojnë një vlerë të shtuar parlamentare në shtimin e përpjekjeve kundër pandemisë. Ne do ta ndajmë atë me ju për përfitimin e tërë rajonit të OSBE-së në javët e ardhshme.”

Për ta përmbyllur me:

“I dashur kryeministër, siç mund ta dini, fillova karrierën time të OSBE-së, duke ndihmuar shqiptarët në Kosovë (1999/2001) dhe në Serbinë e Jugut, Lugina e Preshevës (2001/2003), në kohë të njëjta të vështira, dhe unë e njoh shumë mirë frymën e fortë të humanizmit dhe solidaritetit që është i pranishëm tek populli shqiptar. Kjo është arsyeja pse unë jam i kënaqur që Shqipëria tani po kryeson OSBE-në dhe mirënjohës për ju dhe njerëzit tuaj për ato që keni bërë për Italinë dhe për atë që po bëni për OSBE-në. Juaji sinqerisht Roberto Montella, Sekretar i Përgjithshëm.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA