Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar ftesë zyrtare kryeministrit të Kosovës në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për takim konsultativ, në zyrën e presidentit, më 1 prill.

Në ftesën e presidentit Thaçi thuhet që pas mocionit të mosbesimit të qeverisë, ai do të ndërmarrë hapat e përcaktuar me Kushtetutë.

“Në këtë drejtim, ju ftoj që të merrni pjesë në takimin konsultativ për të diskutuar hapat e mëtejshëm”, thuhet në ftesën e Thaçit dërguar Kurtit.

Presidenti Thaçi, më herët ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave do të nisë takimet me liderët e partive politike, për të shqyrtuar hapat e mëtejmë pas mocionit të mosbesimit për qeverinë. Thaci takoi të hënën edhe ambasadorët e quint-it dhe atë të BE në Prishtinë, për ti informuar për hapat që do të ndërmarrë pas shkarkimit të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti nga kuvendi i Kosovës, javën e kaluar.

Kuvendi i Kosovës, më 25 mars, ka votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti. Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Kurti, ka deklaruar se pas votimit të mocionit duhet të mbahen zgjedhje, por pasi Kosova ta ketë kaluar pandeminë e koronavirusit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se duhet të ketë qeveri të re, por vetëm pas mbajtjes së zgjedhjeve, duke kundërshtuar kështu iniciativën e Thaçit për t’u konsultuar me partitë, me qëllim që të krijohet ekzekutivi i ri.

Top Channel