CoVid-19/ “Jemi për të mos u marrë mësysh”, Rama: Prilli, prova e zjarrit…

30/03/2020 16:52

“Veçanërisht dy javët e para të prillit që do na tregojnë më tepër, duke ndjekur krahasimisht me vendet e tjera ata kurbën statistikore e do mund të na thonë se sa mirë ka funksionuar vija mbrojtëse”, kjo ka qenë një nga deklarata e bëra nga kryeministri i vendit Edi Rama në emisionin “Top Talk” lidhur më situatën e CoVid-19.

Ndërkohë i pyetur nëse është duke bërë gjëja e duhur me masat e marra deri tani për parandalimin e përhapjes së virusit, Rama tha se “duke u krahasuar me vendet e tjera, jemi duke bërë gjënë e duhur dhe po ecim në drejtimin e duhur”.
Më tej kreu i qeverisë u shpreh se masat po japin efekt, por nuk duhet të gëzohemi para kohe.

“Se është e domosdoshme të mbrohemi shumë fort e të forcojmë vijën mbrojtëse ndërkohë që prilli do jetë prova e zjarrit, veçanërisht dy javët e para të prillit që do na tregojnë më tepër, duke ndjekur krahasimisht me vendet e tjera ata kurbën statistikore e do mund të na thonë se sa mirë ka funksionuar vija mbrojtëse e si mund të fillojmë të mendojmë për hapje të ngadaltë e shumë graduale, por në këtë fazë është momenti për të forcuar vijën mbrojtëse e për të jetuar ditën, çdo ditë është ditë e re e luftë duhet bërë sikur të ishte dita e parë, se nuk jemi në një luftë që historia na ka treguar si ndodh.” tha Rama.

“Ne duam të besojmë se duke u nisur nga të dhënat e terrenit të luftës e krahasuar me shumë vende të tjera, mbi bazën e të njëjtave parametra, jemi duke bërë gjënë e duhur dhe mund të them se po ecim në drejtimin e duhur. Ne kemi pritur që rastet të shtohen, e kemi thënë dhe përsëri për të mos marrë mësysh kemi më pak raste te shtuara se sa ato që kemi parashikuar në skenarin tonë të mirë, që do të thotë se masat po japin efekt dhe nga ana tjetër s’duhet të gëzohemi përpara kohe e as të lëshojmë asnjë cm nga vija mbrojtëse se sic e tregon historia e pandemive, por edhe eksperienca konkrete çdo lëshim i vijës së mbrojtjes mund të pasohet me goditje.” tha Rama më pas.

Top Channel