Sot u bënë plot 20 ditë nga regjistrimi zyrtar i një pacienti pozitiv me COVID-19. Natyrisht aludohet që virusi ka hyrë ditë më parë në Shqipëri ashtu siç aludohet dhe në vendet e tjera. Për shembull nga gjurmimi Epidemiologjik u faktua se në Itali, virusi ka hyrë 18 ditë përpara regjistrimit zyrtar.

E njëjta gjë është faktuar në Shqipëri se një zonjë ka fluturuar me datën 02 Mars 2020 për në SHBA nëpërmjet Stambollit dhe ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Megjithatë jam i detyruar të ju qëndrojë dhe të mar si rast studimor shifrat zyrtare të publikuara nga shteti ynë. Nuk e besoj aspak mashtrimin në shifra nga institucionet tona pasi nuk gjej arsye, është një virus që ka prekur gjithë botën dhe ka gjunjëzuar shtete shumë herë më të fuqishme se ne, minimalja është transparenca.

Duke u treguar racional në 20 ditët e para kemi 212 raste pozitive me COVID-19, nga këto raste kemi 10 viktima. Pra vdekshmëria nga COVID-19 për Shqipërinë është 4.30%. Po nga e njëjta statistikë del që kemi 1 vdekje në 48 orë. Lajmi më i mirë është tek pacientët e rikuperuar dhe të shëruar 100% nga COVID-19, janë plot 40 ose 18.86%. Ndërkohë që mesatarisht kemi pasur 11 raste në ditë, duke ditur që jemi në javën e tretë të COVID-19 në Shqipëri dhe duhet të ishte shumë më agresiv. Duke ditur që dhe afati kohor i inkuibimit të këtij Virusi është 14-21 ditë presim një ashpërsim të mëtejshëm të virusit në 17 ditët e ardhshme, por me treguesit e tanishëm ky ashpërsim do të jetë i lehtë për shumë arsye. Shqipëria momentalisht ka 211 Raste Pozitive, 10 vdekje, 40 pacient të rikuperuar. Nga rastet aktive të mbetura kemi 147 raste në gjendje stabël dhe vetëm 3 raste kritike në një faze të avancuar të sëmundjes. Treguesit janë dashamirës duke parë se çfarë po ndodh në vendet e tjera. Shifrat na bëjnë të jemi optimistë!

Siç dihet apo keni dëgjuar kohët e fundit, klima ideale që i duhet virusit të përhapet dhe inkuibohet është ajo e thatë dhe e ftohtë. Koha në të cilën e ka kapur Shqipërinë, por edhe klima Mesdhetare dhe Subekuatoriale e pengojnë Virusin për tu shpërndarë në masë. Prandaj me pak sakrificë dhe kujdes, ne do ta kufizojmë në maksimum këtë virus. Të mos ja lëmë ne dorë vetëm natyrës por të tregohemi dhe ne të përgjegjshëm!

Ne shqiptarët kemi imunitet të fortë. Kjo edhe për ironi të fatit ka të bëjë me kontrollet e pakta që kemi në ushqimet që ne konsumojmë. Mbi të gjitha një e mirë e kësaj të keqeje është se organizmi jonë nuk është njësoj i dobët përball këtij virusi por edhe nga klima e nxehtë që kemi në shumicën e kohës, Shqiptarët kanë mushkri më të fuqishme se njerëzit e klimës kontinentale që i përket Italia e Veriut dhe Europa Qendrorë.

Por mbi të gjitha jemi të detyruar të jemi optimistë dhe të mos kaplohemi nga ankthi. Kjo si pasojë e shumë studimeve, të cilat tregojnë që Gjendja emocionale (optimizmi apo pesimizmi) ndikon drejtpërdrejt në sistemin imunitar. Të qenit optimistë rrit aktivitetin dhe frymëkembimin qelizor ne trupin e njeriut e faktuar nga shumë eksperimente dhe raste studimore nëpër botë. Gjendja pesimiste ul imunitetin, nuk ngop mjaftueshëm qelizat me oksigjen dhe këto qeliza bëhen më vunerable ndaj viruseve apo baktereve të ndryshme.

I thash të gjitha këto për të arritur në përfundimin që kemi mjaftueshëm arsye për të qenë optimist.

Duhet të jemi më solidarë dhe mirëkuptues në këto kohë të vështira, duke filluar nga komshiu i cili po ashtu si ne është i detyruar të qëndrojë mbyllur dhe të mos njoftojmë menjëherë policinë për prishjen e qetësisë. Një fjalë e mirë sot vlen më shumë se 10 fish se sa një fjalë e thënë në një ditë normale. Mundohuni të shijoni në maksimum këto momente pranë familjeve tuaja! Shiheni si diçka positive këtë kohë duke lënë gradualisht cigaren dhe veset e tjera. Më në fund u kuptua që ka jetë dhe pa bar-e dhe kafene! Kjo kohë do të ju shërbeje për të ndryshuar monotoninë e ditës dhe të paktën do të ndikojë pozitivisht në higjenen vetjake. Mundohuni ta trajtoni pozitivisht dhe me optimizëm këtë luftë dhe në fund të gjithë do të dalim fitimtar! Ne do t’ja DALIM!

Nga Vilson Kulemani.

Top Channel