Fill pas deklaratave të Richard Grenell-it, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë–Serbi, i cili në një intervistë ekskluzive për Emisionin Pressing të T7 siguroi se asnjëherë nuk ka folur me Thaçin e Vuçiçin rreth shkëmbimit të territoreve si një zgjidhje ndërmjet Kosovës e Serbisë, duke e parë kështu një opsion jo të mirë, ka reaguar kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti
Përmes një postimi, ndër të tjera, Kurti ka mohuar të ketë thënë atë që deklaroi Grenell, ku sipas tij, Kurti i kishte thënë në sy se do ta hiqte plotësisht taksën ndaj Serbisë.
“Asnjëherë nuk i kam thënë që do ta heqim tarifën 100% pa reciprocitet”, shkroi Kurti
Më poshtë lexoni postimin e plotë:
“Me ambasadorin amerikan në Berlin, z. Richard Grenell, jam takuar dy herë. Takimi i parë ishte më 9 tetor 2019, në ora 13:45, në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë. Takimi i dytë ishte më 23 janar 2020, në ora 10:30, në selinë qendrore të LVV.
Në takimin e parë me mua ishte z. Glauk Konjufca. Në takimin e dytë me mua ishin z. Glauk Konjufca dhe znj. Fitore Pacolli-Dalipi. Të dy herët, z. Grenell e kam shikuar në sy.
Por, asnjëherë nuk i kam thënë që do ta heqim tarifën 100% pa reciprocitet. Është për t’u përshëndetur dhe inkurajues deklarimi i qartë i sotëm i Ambasadorit Grenell kundër planeve për shkëmbim territorial.”
Top Channel